Hungarezët e 4iG blejnë ONE dhe Albtelecom

1134
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Kompania hungareze “4iG Plc” ka arritur një marrëveshje për të blerë kompaninë ONE Telecommunications. Lajmi bëhet me dije nga kompania për mediat në Hungari.

Në fillim të muaji dhjetor, 4iG njoftoi zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e 80.27% të aksioneve të kompanisë Albtelecom, që zotëroheshin nga konsorciumi turk CETEL.

Kompania ONE (ish-Telekom Albania) u ble në fillim të vitit 2019 nga konsorciumi Albania Telecom Invest (ATI) për shifrën e 50 milionë eurove. Fillimisht, konsorciumi përbëhej nga biznesmeni bullgar Spas Rusev dhe biznesmeni shqiptaro-bullgar, Elvin Guri. Vitin e kaluar, Elvin Guri bleu shumicën e aksioneve në konsorcium, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve të Spas Rusev u ble nga Atanas Dobrev, CEO i kompanisë bullgare të telekomunikacioneve Vivacom.

Nëse shitja e Albtelecom dhe ONE te 4iG do të miratohet nga autoritetet shqiptare, numri i operatorëve celularë në treg do të ulet në dy, nga tre që janë aktualisht. Me blerjen e Albtelecom dhe ONE, operatori i ri i kontrolluar nga 4iG do të bëhej operatori më i madh në treg sipas numrit të përdoruesve aktivë.

“Falë rrjetit të saj të rinovuar të telekomunikacionit vitin e kaluar, ONE Telecommunications është një ofrues telekomunikacioni me potencial të fortë rritjeje që do të përshtatet mirë në portofolin tonë të telekomunikacionit të Ballkanit Perëndimor, pas përfundimit të blerjes,” tha Gellért Jászai, President dhe CEO i 4iG Plc për VG.HU.

Në fund të tremujorit të tretë 2021, ONE kishte pothuajse 1.1 milionë përdorues aktivë ose rreth 41% të totalit. Ndërkohë, operatori i tretë, Albtelecom, në fund të shtatorit kishte një pjesë tregu të qëndrueshme në nivelin 16%. Të marra së bashku, pjesa e tyre e tregut, sipas përdoruesve aktivë, do të arrinte në 57%, ndërsa Vodafone do të ngelej ndjeshëm mbrapa, me 43%.

“Gjatë tre viteve të fundit, ne e kemi zhvilluar ONE në ofruesin më të mirë të shërbimit celular në Shqipëri. Ne kemi besim se me ekspertizën e 4iG, ONE Telecommunications do të vazhdojë të rritet”, tha Elvin Guri, pronar i shumicës për VG.HU.

Grupi hungarez 4iG po ndjek një startegji të shpejtë ekspansioni në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore. Këtë muaj, 4iG mori edhe miratimet e fundit rregullatore për blerjen e operatorit më të madh në Mal të Zi, Telenor Montenegro.