Trafik klandestinësh, policia ndalon 8 emigrantë dhe arreston dy persona brenda një jave në Dibër

862
Makina e 27-vjeçarit me iniciale N. K, kapur nga shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Peshkopisë, në drejtim të Kukësit duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm

Vështirësimi i kalimit për në Europën Perëndimore për refugjatët nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme, duket se ka rihapur edhe në Dibër biznesin e trafikut të qenieve njerëzore.

Këtë të enjte në Dibër, Policia bëri me dije se ka goditur një rast të dhënies së ndihmës ndaj shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, bëhet me dije se është arrestuar një 27-vjeçar me iniciale N. K., banues në Fushë-Krujë.

“Ky shtetas është kapur nga shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Peshkopisë, në drejtim të Kukësit me mjetin tip ‘Jeep’, duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin në pikën e kalimit kufitar të Morinës, me destinacion më pas drejt vendeve të BE-së.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Në cilësinë e provës Janë sekuestruar edhe një shumë parash në euro, disa telefona celularë dhe automjeti që drejtohej nga 27-vjeçari. Policia bën me dije se vijojnë hetimet për identifikimin edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Të premten e 10 dhjetorit, DVP Dibër arrestoi edhe një 21-vjeçar me iniciale S. K., nën akuzën e dhënies së ndihmës në kalimit të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

“Shtetasi i mësipërm është kapur nga shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Peshkopisë, me mjetin tip ‘Ford’, duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin në pikën e kalimit kufitar të Morinës, me destinacion më pas drejt vendeve të BE-së” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Sipas OJQ-së “Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional” në një raport të publikuar në maj të këtij viti, biznesi i trafikut të emigrantëve në vendet e Ballkanit Perëndimor arrin në të paktën 50 milionë euro në vit. Në raport thuhet se trafikimi bëhet në tre zona kryesore të Ballkanit Perëndimor – kufijtë midis kufijve të Greqisë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë; kufiri midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe BE-së në Kroaci dhe kufijtë e Serbisë me Hungarinë dhe Rumaninë.

Prej vitit 2018, fluksi i emigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale, duke e kthyer vendin në një korridor të rëndësishëm të lëvizjes së emigrantë drejt vendeve të BE-së.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri për 10 muajt e vitit 2021 janë shënuar 14,013 emigrantë të huaj të parregullt. Përgjatë periudhës Tetor 2017-2021 numri mesatar i emigrantëve të huaj të parregullt të kapur në vend është 1,272 persona.