Një 65-vjeçar që punonte në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në Bulqizë, humbi jetën mesditën e së enjtes. Sipas Policisë Dibër, ngjarja ka ndodhur reth orës 13:30. ”Ka gjetur vdekjen shtetasi M. K , 65 vjeç, banues në Bulqizë” ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar nëse ka qenë një aksident në punë apo ka ndodhur për shkaqe natyrore.
Bukurosh Koçi, administratori i Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al tha se 65-vjeçari ka punuar si mirëmbajtës ujërash. “Ka marrë detyrë për të pastruar atje dhe më pas e kanë gjetur të shtrirë në tokë. Duket të jetë vdekje natyrale, por po presim ekspertizën” tha Koçi.
Fabrika e Pasurimit të Kromit është fabrika e parë për pasurimin e kromit në Shqipëri dhe është vënë në punë prej vitit 1973 për përpunimin e pasurimin e mineraleve të varfëra të kromit, çelikut e pluhrave që dilnin pas impianteve të seleksionimit e fraksionimit në minierat e Bulqizës dhe Batrës. Por që prej dekadash është dhënë me koncesion nga shteti.
Në maj të vitit 2016-të, po në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në Bulqizë një shofer kamioni, si pasojë e përmbysjes së një mjetit të ngarkuar me krom, ka humbur jetën.
Një ditë më parë në galeritë e kromit në zonën mineral mbajtëse D në Bulqizë, një tjetër minator ishte plagosur teksa ishin duke punuar, por pa rrezik për jetën.
Shkak për aksidentet me pasoja fatale në miniera është mungesa e kushteve të sigurisë në punë, pasi prej vitesh në galeritë nuk investohet nga firmat që i shfrytëzojnë. Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM. Ndërsa dhjetra aksidente dhe disa humbje jete kanë ndodhur gjatë vitit 2021.
Qarku i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës.