Policitë e Dibrës dhe Lezhës sekuestruan granata, eksploziv, pushkë e kanabis në dy shtëpitë e një 66-vjeçari

2367
Municionet dhe droga e kapur. Foto: Policia e Lezhës

Një 66-vjeçar u arrestua nga Policia në Lezhë, pasi u kap me një arsenal municionesh e armësh, ndërsa iu sekuestruan edhe 6 kilogramë kanabis.

Policia e Lezhës njoftoi se kishte arrestuar të premten në operacionin e koduar “Baza”, 66-vjeçarin Shefki Brunga. “Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 6 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kanabis, 930 fishekë, 6 kallëpe lëndë eksplozive C-4, 7 granata defensive, 22 ndezës për granata, 99 kapsolla detonatorë, pajisje metalkërkuese, kundërgaz ushtarak, 3 krehra dhe 3 aparate celulare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në një kontroll paralel në shtëpinë e Brungës në në Lurë, policia e Dibrës i sekuestroi 66-vjeçarit një pushkë gjysmë automatike. I arrestuari akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.