Policia procedon penalisht administratorin e një fabrike pasurimi kromi për ndotje të ujërave

2552
Ish-Fabrika e Pasurimit të Kromit, Krastë.

Administratori i një fabrike pasurimi kromit në Martanesh të Bulqizës u procedua penalisht nga Policia e Dibrës, pasi dyshohet se ka ndotur me mbetjet e inerteve të mbetura nga procesi i përpunimit të kromit, duke i hidhur  në përroin e Batrës.

“B. L., 60 vjeç, banues në Burrel,  pasi  gjatë përpunimit të kromit në firmën që ai administron në zonën e re në Batër, Martanesh, është konstatuar se derdhjen e ujërave të ndotura dhe inerteve të mbetura nga procesi i përpunimit të kromit i hidhte  në përroin e Batrës në Martanesh, duke shkaktuar ndotjen e tij.” njoftoi policia për mediat.

Kjo është ndër të paktat raste që një administrator i një subjekti minerar procedohet penalisht për ndotje mjedisore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Pajisja me leje mjedisore është një kusht për të gjitha kompanitë që shfrytëzojnë burimet natyrore. Këto subjekte kanë detyrimin për t’u pajisur me leje të tipit B. Sipas “EkoSkaner” rezulton se 1 në 4 kompani apo rreth 25% e atyre subjekteve minerare që operojnë në zonën e Bulqizës, nuk zotërojnë leje mjedisore, ndonëse mbajnë statusin aktiv.