Leonardo Dicaprio në një udhëtim luginës së drinit të mbetur…

903
Lugina e Drinit të Zi në Dibër

Aktori Leonardo DiCaprio ka reaguar sërish për mbrojtjen e lumit “Vjosë”, duke kërkuar nënshkrimin e një peticioni për ta bërë atë një park ndërkombëtar.

Ai ka kërkuar me anë të një posti në “Instagram” nga ndjekësit që ‘Vjosa’ të jetë Park Kombëtar në mënyrë që zona të mbrohet nga digat dhe një kërcënim i ri si shpimet e naftës dhe gazit.

Ai shprehet se përveç mbrojtjes së lumit, do të rritej turizmi duke tërhequr rreth 1.5 milionë vizitorë çdo vit.

Në fund të postimit aktori fton të gjithë për të nënshkruar peticionin…

Jam me Të. Jam që çdo pëllëmbë tokë; lumë, liqen e det të mos betonohet, shkatërrohet, mbytet e përmbytet për interesa korruptive. Kërkoj që të ma dërgojnë peticionin dhe do ta firmos me dëshirë e kënaqësi.

Nuk e di në se aktori i madh ka qenë ndonjëherë luginës së Vjosës, nga pika kur hynë në territorin e Shqipërisë së vitit 1913 e deri në derdhje të saj apo e ka me të thënë, përfshirë presidentin Meta, del me thirrjen që Vjosa të mos preket. Sido që të jetë bashkohem me të që Vjosa të qëndrojë ashtu siç e ka krijuar natyra.

Si gazetar kam një kërkesë për Leonardio DiCaprio, një ftesë për të vizituar lumin më të madh të Shqipërisë Drinin e Zi, të masakruar në tërë gjatësinë e vet, nga dalja nga liqeni i Ohrit e deri në derdhje në Bunë apo në bregdetin e Lezhës.

Besoj se nuk ka lumë më të masakruar në botë se sa Drini.

Tre prerje rrjedhe e tre hidrocentrale mbi të nga dalja nga liqeni i Ohrit e deri në Miresh në kufi me Shqipërinë 1913. Në territorin maqedon Drini nuk është lumë, është gjol. I ka humbë emri.

Katër prerje rrjedhe, katër diga në Fierzë, Koman, Vaun e Dejës dhe Bushat.

Ka mbete vetëm hanxhari i Skavicës që ai të humbë emrin, të kthehet në Drin-hurdhë.

Do të dëshiroja që ftesën ta merrte nga deputeti i Dibrës zoti Lavdërim Krrashi, me formim perëndimor e një prej mijërave që i mbyten trojet e të parëve.

Do të desha që ftesën ta merrte nga zëvendësministrja e ministrisë së E Turizmit dhe Mjedisit zonja Almira Xhembulla Zebi që ka detyrën e mbrojtjes së çdo pëllëmbe toke në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Do të desha që ftesën ta merrte nga Dr. Prof. Adem Bunguri njeriu që e njeh më mirë se kushdo historinë dhe arkeologjinë që mbyt hurdha e Skavicës.

Kam besim se ata do ta shoqërojnë tërë Luginës së Drinit të Zi, nga Mireshi në Skavicë e do ti tregojnë se mbytja e Dibrës është një krim nga më makabrët që njeh ai; ekologjik, historik, njerëzor.

Ta ngjisin në pikën që dominon luginën, në Sukë të Arrasit dhe ti tregojnë se prapa është Sina, vendlindja e Skënderbeut e poshtë këmbëve të tij, në fushën e Çidhnës dhe të Kastriotit është zhvilluar beteja e parë e madhe në Evropë e shqiptarëve të udhëhequr nga biri i tyre kundër turqve osmanlinj, është shënuar fitorja e parë e madhe duke hap themelet e ngritë murin e mbrojtjes së Evropës nga pushtimi mesjetar anadollak,

Ti thonë se kjo betejë dhe 17 betejat e tjera fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u zhvillua në luginën e Drinit të Zi.

Italia sot (dhe Evropa), në mos do të fliste turqisht, do të ishte një ndër vendet ku mbi minare do të dëgjohej çdo mbrëmje ezani që i fton njerëzit të hanë iftar.

Ti thotë se nuk ka luginë lumi në botë që ka kaq eshtra pushtuesish e varre trimash thellë tokës.

E ato varre, eshtra, shpata, shigjeta janë atje e duhen nxjerrë në dritë për ti treguar botës trimërinë e një vendi të vogël kundër një perandorie të madhe, më të madhen e kohës.

Ata nuk mund ti zhysë e mbysë përgjithmonë llumi i Skavicës.

Ti thonë se po ta mbytin Drinin, po e ndërtuan Skavicën, mbysin historinë e një populli, historinë e “Kalorësit të kryqit” siç e quan Perëndimi Gjergjin e Gjon Dibranit, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.

Jam i sigurt se nga ajo pikë që e sheh luginën në pëllëmbë të dorës do të skicojë skenarin e një filmi serial me beteja të njëpasnjëshme të Skënderbeut në Dibër e Shqipëri. Me siguri do të marrë vlerësime që nuk i ka marrë kurrë.

Më tej ta çojnë të vizitojë bukurinë e Setës, e po pati takat dhe nuk i merren mend të kalojë rrugës së ngushtë në krahë të rrjedhës së kanalit të Çidhnës për të lexuar fragmente të trimërisë së Dibranit në ndërtimin e një vepre të madhe të pashoqe ndërtimore.

Ti tregojnë se Setën e kanë marrë me po të njëjtin oreks siç po marrin Skavicën njerëz që dinë vetëm një gjë: të shkatërrojnë natyrën për të mbush xhepat.

Ti tregojnë se 100 vjet më parë dibranët, të bashkuar, korrën fitoren më të madhe historike mbi pushtuesit serbë në betejën e Lanë Lurës dhe nuk i lanë sllavo-jugosllavët ta kenë Drinin kufi të parë të tyre për të vijuar për ta këput Shqipërinë për mesi e për të dalë në Durrës, ëndërr që edhe sot e shikojnë.

Ti tregojnë edhe se Drini, siç thotë poeti i madh Lasgush Poradeci është boshti i shqiptarëve, palca e prerë nga Londra 1913.

Drini është i shenjtë jo vetëm për Dibrën por për tërë Shqipërinë.

Palca e tij duhet të mbetet e gjallë në pritje për tu bashkuar me palcën e mbetur në anën tjetër të shqiptarëve autoktonë.

Ta ngjisin në Lurë e ti tregojnë “sytë” e saj që qëndrojnë pezull midis tokës dhe qiellit, liqenet e famshme të Lurës.

Ta shoqërojnë edhe në Fushë të Pelave e ti tregojnë se fusha e ka marrë emrin nga hergjeletë e pelave që mbarështoheshin për të pjellë e rritë kuaj luftarakë të ushtrisë së Skënderbeut.

Të kalojnë “ylberin” dhe butë-butë të ulen në Bjeshkën e Zonjave ku dy gjeneralë e diplomatë Julian Emery dhe Reginald Hibbert që qëndruan atje gjatë Luftës së Dytë Botërore shkruanin:

“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford…”.

”Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një Universitet të dytë, atë të Dibrës”.

Dhe jam i sigurt se ai peizazh i papërsëritshëm do ta tërhiqte për një skenar të madh lojërash dimërore duke luajtur rol të parë, gara skish e sllallome gjigande të përmasave botërore ku jo 1.5 milionë por dhjetë herë më shumë turistë do të vinin në Gramë e bjeshkët e mrekullueshme të Korabit, gjithë vitin, verë e dimër.

Dhe të bindej se Lugina pjellore e Drinit të Zi do të ishte buka, mishi, perimet, fruti dhe gjella e kësaj bukurie. Se pa Luginën e Drinit të Zi nuk ka turizëm as tek liqenet e Lurës, as tek liqenet e Kacnisë, as në Korab, askund në Dibër

Nga kjo, jam i sigurt se e vetmja thirrje e Tij do të ishte: “Mbroni Luginën e Drinit të Zi !” “Ndal shkatërrimit të saj!” “Jo Skavicës!”. “Rrugë të asfaltuara, teleferikë, investime të mëdha kapitale për tu ngjitur fshatrave e maleve të Dibrës më pak të eksploruarat në Evropë!”…

Dhe ti rekomandojnë të lexojë Johann Georg von Hahn, librin e tij ”Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit” dhe zonjën e bukur M. Edith Dyrham që i donte këto vise si të ishte bijë e lindur dhe e rritur atje.

Ftova një deputet, një zëvendës ministre mjedisi dhe një shkencëtar, me emër e mbiemër.

Nuk e di në se këtë do të mund ta bëjnë e ta financojnë, nuk e di në se do tu presin rrugën e do ti ndalojnë patronazhistët që e duan Dibrën gjol e hurdhë, të mbytur e të zhdukur përgjithmonë. Ata do ti gjejnë në rrugë duke propaganduar gondola, skafe luksoze, porte në fjorde, vila luksoze e rrugë të gjëra e shëtitore buzë liqenit…

Një gjë ama mund ta bëjnë: Ta përkthejnë në gjuhën e nënës të DiCaprios dhe t’ia dërgojnë në të gjitha adresat e tij, fizike e elektronike.

Dhe jo vetëm ata. Edhe ti djalë e vajzë që je në Angli, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, SHBA, Kanada, Australi që tu dha mundësia ta mësosh me themel gjuhën e vendit ku punon dhe jeton larg atdheut, ta përkthesh e ta përcjellësh në adresë DiCaprios, ta botosh në gazeta e portale si një thirrje publike për ti thënë ndal një krimi nga më makabrit e këtij fillim shekulli.

T’ia dërgosh edhe dibranes së këngës Bebe Rexha, këngëtare me famë botërore që ta thotë fjalën e vet në mbrojtje të vendlindjes.

Por edhe gjithë zërave të mëdhenj shqiptarë duke i ftuar të thërrasin publikisht “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”