Autor: Edison Balla | Bulqiza ime
Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga INSTAT mbi indeksin e punësimit tek të rinjtë, bëhet me dije se vetëm 20% e të rinjve të arsimuar kthehen në vendlindjen e tyre pas diplomimit a specializimit për një degë të caktuar. Kjo shifër mbetet “alarmante” sidomos në zonat veriore, kjo për arsye që tashmë dihen botërisht, por kryesisht edhe si pasojë e mentalitetit të krijuar tek të rinjtë sipas të cilit, “nga veriu duhet të ikësh një orë e më parë”.
Mbase shumë prej nesh mund të listojnë shumë arsye se përse nuk duhet të kthehemi në vendlindje, por unë në këtë artikull dua të listoj disa arsye të tjera se përse të rinjtë e arsimuar duhet të kthehen në Bulqizë, kur u krijohen mundësira dhe variante për ta ushtruar profesionin e tyre në Bulqizë.
Padyshim, në Shqipëri në përgjithësi por edhe në Bulqizë në veçanti, në shumë sektorë prioritarë për ekonominë dhe jetën sociale të vendit, ka një mungesë të theksuar të profesionistëve dhe njerëzve kompetentë për disa pozicione konkrete. Bulqiza, nuk mund dhe nuk duhet shihet si një qytet dhe një zonë, ku gjithkush duhet të punojë patjetër në sektorin minerar. Pdyshim, sektori minerar është jetik dhe i pazëvendësueshëm për ekonominë lokale por edhe atë kombëtare, por sërish Bulqiza ka edhe sektorë të tjerë ku të rinjtë e arsimuar mund të punësohen dhe të ushtronjë denjësisht profesionin e tyre.
Nëse qëndrojmë për një moment tek sektori minerar, mund të them pa frikë se edhe këtu ka mungesë të kapaciteteve humane dhe të profesionistëve të rinj. Për këtë mjafton të shohësh vendet bosh të publikuara nga kompania konçensionare në portalin e saj zyrtar, por edhe në portalet e agjencive shtetërore ku publikohen vazhdimisht vende të lira pune si pasojë e kërkesave në rritje të kompanive të liçensuara private që operojnë në Bulqizë në sektorin minerar.
Bashkia Bulqizë me ndarjen e re territoriale përbën një zonë shumë të gjerë gjeografike, duke shtuar kështu edhe nevojën për hartimin e strategjive të reja të zhvilimit urban e rural. Kjo nevojë për hartimin e strategjive zhvillimore shkon paralelisht edhe me kërkesën për rritjen e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore, pasi janë pikërisht këto të fundit që i japin jetë një zhvillimi të gjithanshëm, formal, aftgjatë dhe të qëndrueshëm.
Në të shumtën e rasteve, kompanitë dhe donatorët e huaj që kanë si fokus zhvillin e qëndrueshëm rajonal, hasin vështirësi në gjetjen e personave dhe burimeve njerëzore në vendin objekt-investimi, dhe për këtë arsye i gjejnë diku “gjetkë” profesionistët që u duhen. Por përveç vështirësisë apo pamundësisë së gjetjes së burimeve njerëzore, shpeshherë kjo bëhet shkak edhe për tërheqjen e investitorëve të ndryshëm, duke i hequr kështu mundësinë vendit apo rajonit për hapjen e shumë vendeve të reja të punës.
Bulqiza, padyshim zotëron një terren të mrekullueshëm e te favorshëm për zhvillimin e turizmit, kulturave bujqësore, por edhe të promovimit kulturor e historik të saj. Nga ana tjetër ka po kaq të rinj nga Bulqiza që janë arsimuar brenda dhe jashtë vendit, që mund t’u përgjigjen me dinjitet këtyre kërkesave për zhvillimin e zonës në sektorët e sipër-përmendur. Ndër vite nga Bulqiza kanë dalë studentë shumë të arrirë, dhe pastaj profesionistë me shumë potencial, që kanë bërë emër në arenën kombëtare, por fatkeqëisht kontributi i tyre nuk është parë në rang lokal në Bulqizë.
Turizmi ka nevojë për njohës dhe profesionistë në mënyrë që të zhvillohet dhe të kthehet në një sektor prioritar, por këtë nuk mund ta bëjnë njerëzit e thjeshtë që nuk zotërojnë kapacitetet teknike dhe praktike. Për ta bërë këtë duhen të rinj vizionar, të ditur, me vullnet, por mbi të gjitha me dëshira të pashtershme për ta ndryshuar dhe zhvilluar Bulqizën. Po ashtu Bulqiza ka një histori shumë të vyer që mbase duhet të sistemohet, por sërish për ta bërë këtë duhen të rinj profesionistë e objektivë, por mbi të gjitha të rinj që dëshirojnë t’u lënë brezave të ardhshëm një histori që të bën krenar dhe të jep stimul për të ecur përpara dhe për të punuar në vendin tënd.
Terreni i mrekullueshëm, monumente natyrore dhe njerëzore, relieve malor, klima e mrekullueshme, panorama malore kanë nevojë të promovohen për ta vërë vendin tëheqës e të vizituar. Për ta bërë këtë Bulqiza ka nevojë për të rinj, të arsimuar dhe me vullnet në mënyrë që të ngrihet në piedestal dhe aty ku e meriton emri i Bulqizës.
Në këtë shkrim unë mund të listoj arsye pafund në mbështetje të tezës që kam ngritur në krye, por përtej çdo indicia a premise teknike ose praktike, dua të theksoj që të rinjtë duhet të kthehen në Bulqizë, se ky vend ka nevojë për ata, se të rinjtë janë fryma dhe e ardhmja e Bulqizës, se të rinjtë janë mekanizmi dhe lokomotiva drejtuese e Bulqizës.
“Një vend pa të rinj të arsimuar, është si një godinë e ndërtuar me themele të kalbura”.