Dy lëkundje të tjera tërmeti në Bulqizë, afro 80 banesa të dëmtuara

992
Banesë e dëmtuar nga tërmeti. Foto ilustruese.

Pas tërmetit me magnitudë 4,4 të shkallës rihter të një dite më parë, lëkundjet sizmike të tokës kanë vijuar edhe ditën e sotme në Bulqizë.

Këtë të shtunë janë regjistruar dy tërmete, fillimisht me magnitudë 3,2 i shkallës rihter në orën 14:24 dhe vetëm pas 3 minutash është regjistruar edhe një tjetër lëkundje, këtë herë me magnitudë 3 i shkallës rihter.

Emergjencat Civile pranë Prefekturës së Dibrës, bëjnë me dije se ishin afro 80 banesa të dëmtuara në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Bulqizë, kryesisht në çarje muresh, dëmtime tavanesh e të ngjashme.

Dhurata Çupi, deputete e Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, në një deklaratë në profilin e saj në rrjetet sociale, bëri me dije se mbrëmjen e së premtes disa banorë të Dibrës e kanë kaluar jashtë, ndërsa akuzoi për neglizhencë institucionet shtetërore. “Në qarkun Dibër, janë prekur nga tërmeti shumë banesa e rrjedhimisht disa qytetarë mbrëmë kanë qëndruar jashtë. Një mesazh nga një qytetar në bashkinë Klos i prekur nga lëkundjet e tërmetit duke ju dëmtuar shtëpia, ankohet se administrata e bashkisë Klos i është përgjigjur se do të vimë të shikojmë ditën e hënë” shkruan Çupi.

Tërmeti i së premtes me magnitudë 4,4 shkalla Rihter ishte me epiqendër në Shupenzë të bashkisë Bulqizë, me një thellësi prej 11 km dhe është shënuar në orën 08:10.