Pranohet ankesa e ASH – AAA për një vendvotim në Dibër, të dielën do të rivotohet

642
Votime në Maqedoninë e Veriut. Foto: Radio Evropa e Lirë

Gjykata Administrative në Maqedoninë e veriut, pranoi ankesën e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për mos pranimin e rezultatit në vendvotimin 0543 në Dibër. Pas vendimit të gjykatës rezultatet e votimit për kryetar dhe këshilltarë në atë zonë janë anuluar. Në Dibër më 31 tetor nuk do të mbahet një raund i dytë votimi, por do të votohet vetëm në vendvotimin 0543.

“Pranohet ankesa e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nga Tetova, për shkelje të procedurës së votimit dhe përmbledhje të rezultateve të parashikuara me Kodin Zgjedhor. Anulohen rezultatet e votimit për listat për kandidatët për kryetar dhe këshilltarë të Komunës së Dibrës, për vendvotimin nr.0543 në Zgjedhjet Lokale 2021.” thuhet në aktgjykim.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, në këtë vendvotim janë regjistruar 697 votues. Në raundin e parë në zgjedhje morën pjesë 468 persona, ku kandidati i ASH-AAA, Bekim Pocesta ka marrë 271 vota, ndërsa Hekuran Duka nga BDI ka marrë 195 vota, ndërsa kandidati i PDSH-së, Petrit Klenja mori vetëm 2 vota.

Mediat në Maqedoninë e veriut, raportojnë se procesverbali në vendvotimin 0543 nuk është nënshkruar nga shumica e anëtarëve të Këshillit Zgjedhor, nuk janë deklaruar arsyet për këtë, nuk ka pasur nënshkrim nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, dhe procesi në këtë vendvotim është udhëhequr nga një kryetar i cili më parë ka qenë i shkarkuar nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, kandidati i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Bekim Pocesta doli i pari me 49,69 për qind, respektivisht me 3,998 vota të fituara, ndërkaq i dyti renditet kandidati i BDI-së, Hekuran Duka me 46,15 për qind, respektivisht me 3,713 vota të fituara. Numri i përgjithshëm i votuesve që morën pjesë në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Dibrës ishte 8.046 persona nga 19.211 persona me të drejtë vote. Me një rezultat të tillë, asnjëri prej kandidatëve nuk ka siguruar mbi 50% të votave të nevojshme për të marrë mandatin e kryetarit të Dibrës.

Për të fituar mandatin dhe për të mos shkuar në një raund të dytë, Bekim Pocesta duhet të marrë vetëm 23 vota më shumë. Në zgjedhjet e 31 tetorit që do të mbahen në vendvotimin 0543 diferenca e Pocestës nga kandidati i BDI-së, duhet të jetë 99 vota. Në të kundërt do ketë raund të dytë zgjedhor.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative, BDI dega Dibër në një deklaratë në rrjetet sociale bëri me dije se për faj të ASH-AAA të gjithë komisionerët në këtë vendvotim rrezikojnë padi penale. “Në frymën tonë është të ruajmë dinjitetin e komisionerëve. Raundi i dytë në gjithë qytetin do mbahet me 14 nëntor.” thuhet në deklaratën e BDI.

Ndërkohë nga krahu tjetër, ASH-AAA i kërkoi kandidatit të BDI dhe njëherësh edhe kryetarit aktual të komunës Dibër, Hekuran Duka që të jap dorëheqjen nga gara. “Mbas vendimit të gjykatës, i bëjmë thirje ish-kryetarit z. Hekuran Dukës, pranoni verdiktin e sovranit, jepni dorëheqje dhe largohuni me nder që të përfundojnë këtu presionet, telefonatat dhe kërcënimet ndaj qytetarëve. Bekim Pocesta kryetar i ardhshëm i Dibrës.” thuhet në deklaratën e tyre.

Gara për Komunën e Dibrës në Maqedoninë e Veriut është kthyer në “betejë mjekësh”. Hekuran Duka nga BDI kandidon për një mandat të dytë në krye të Komunës së Dibrës, ndërsa Bekim Pocesta nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për të marrë një mandat të parë. Komuna e Dibrës prej shumë vitesh drejtohet nga kryetar të dalë nga radhët e BDI-së.