Gjykata merr mungesat dhe shtyn seancën e “Dosjes 184”

Në një seancë që shërbeu për të marrë mungesat e një avokati dhe njërit prej të pandehurve, gjyqtarja vendosi shtyrje të gjyqit dhe njoftoi se i pandehuri Hasan Hoti do të shoqërohej me forcë nëse nuk paraqitej në gjyqin e radhës.

547
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Gjykata e Dibrës shtyu të mërkurën gjyqin për dy të pandehur, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër për të famshmen “Dosje 184”. Vendimi për shtyrjen për të disatën herë të seancës u mor për shkak të mungesës së Hasan Hotit, një prej të pandehurve, dhe avokatit Petrit Ismaili.

Në seancën e së mërkurës ishte i pranishëm vetëm Robert Aga, ish-shefi i komisariatit Dibër, i akuzuar nga prokuroria, me akuzën për “shpërdorim detyre”. Aga përsëriti kërkesën e tij që gjyqi, në të cilin pritet të thirren edhe dëshmitarë, të nisë sa më shpejt.

Por i pandehuri tjetër Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës akuzuar edhe ai për “shpërdorim detyre”, vazhdon të mungojë në seancë, me arsyetime të gjendjes së tij shëndetësore apo se ishte me pushime.

Ndërkohë në seancën e së martës, së gjysmës tjetër të dosjes 184, avokati Ismaili kishte sjellë një raport mjekësor për efektet anësore që kishte pasur, pasi marrjes së dozës së dytë të vaksinës kundër COVID-19.

Avokati Gentjan Rumano u mundua t’i justifikonte mungesat e të pandehurit të mbrojtur prej tij përpara gjykatës. Ai tha se Hoti nuk kishte ardhur duke u nisur nga fakti që çështja është në gjykim të thelluar dhe mund të mos ishte e nevojshme prezenca e tij, duke qenë se kishte lënë prokurë të posaçme përfaqësimi nga avokati.

“Kjo nuk ka qenë shkak shmangie se sa më tepër moskuptim ndërmjet meje dhe atij. Pra e kam konsideruar unë të panevojshëm prezencën e atij. Seancën e radhës do të jetë këtu pa patur nevojë për shoqërim të detyrueshëm.” tha Rumano.

Prokurori i çështjes, Urim Buci ishte dakord që gjyqi të shtyhej: “Meqë është domosdoshme prania e të pandehurit Hoti për të deklaruar para gjykatës, dakord që të kemi një shtyrje të seancës.” u shpreh ai.

Gjyqtarja Nertila Kape nuk i pranoi justifikimet e mbrojtësit, ajo njoftoi se Hoti do të merrej forcërisht nëse nuk paraqitej në seancën e rradhës që u caktua më 20 tetor.

Ndërkohë përpos seancave të fillimit të gjykimit të kësaj dosje, në seancat e tjera nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i opozitës, e cila për shumë kohë e kishte kthyer në kalin e betejës nën arsyetimin e mbrojtjes së votës së lirë.

Në fillim të seancës gjyqtarja Kape ironizoi praninë e gazetarit. Kape duke folu me zë të lartë, që u dëgjua në koridorin jashtë sallës, pretendoi se gazetari ishte “bërë si pjesë e seancës” ndërsa u ankua se kishte bërë “dezinformim” dhe kishte pasaktësi në raportim.

E pyetur nga BIRN në fund të seancës gjyqtarja tha se në tekst ishte thënë gabimisht se “Mbrojtësit e të pandehurit Robert Aga ishin me pushime, ndërkohë që ishte (Me pushime) Hasan Hoti”. Ajo këmbënguli se nuk ishte shprehur kundër pranisë dhe se gjyqi ishte publik.

Por pretendimi i gjyqtares për moskorrektësi është i pasaktë. Në raportimin e seancës së datës 15 shtator, nuk përmendet në asnjë moment, se kush ishte me pushime, por që pushimet ishin një prej justifikimeve të sjella prej avokatëve për mungesën.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë  u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi,  ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Dosja u nda më pas në dy pjesë të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë.

Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar i cili po ashtu është shtyrë disa here gjatë muajve të fundit.

Në seancën e rradhës së kësaj të fundit Gjyqtari Ardit Kuka, vendosi gjobitjen e dy avokatëve të të pandehurve të kësaj çështje – Gentjan Rumano dhe Petrit Ismaili me nga 50,000 lekë gjobë secili për mungesën e vazhdueshme në seancë.