Dibër, SPAK arreston qytetarin dhe sekserin, pagoi ryshfet për t’u punësuar mësues

2469
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

SPAK njoftoi mëngjesin e të mërkurës më 29 shtator arrestimin e një punonjësi të Këshillit të Qarkut Dibër dhe të një qytetari, pasi kanë planifikuar punësimin e këtij të fundit si mësues pranë Zyrës Arsimore Dibër kundrejt shumës 100 mijë lekë. Njoftimi nuk bën të ditur se me çfarë mënyre autoritetet u informuan për këtë vepër penale por lë të kuptohet se qytetari është mbajtur nën monitorim për të regjistruar si provë transferimin e shumës së parasë dhe arrestimin në flagrancë.

Në njoftimin e SPAK thuhet se, nga veprimet hetimore ka rezultate që shtetasi H. Sh. ka dashur të fillojë punë si mësues pranë Zyrës Arsimore Dibër. Për këtë qëllim, ai ka kontaktuar me shtetasin F.F, punonjës i Këshillit të Qarkut Dibër, i cili i ka premtuar kundrejt shpërblimit, që t’i sigurojë ndikim tek drejtuesit e Zyrës Arsimore Dibër për të mundësuar punësimin si mësues.

“Gjatë operacionit, menjëherë pas dorëzimit të shumës prej 100.000 Lekësh nga shtetasi H.Sh., kundrejt shtetasit F.F., kanë ndërhyrë sakaq punonjësit e policisë duke bërë arrestimin në flagrancë të tyre si dhe duke bllokuar provat materiale”, citohet në njoftimin e SPAK.

Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në njoftim nuk sqarohet nëse është ushtruar ose jo ndikimi në drejtuesit e Zyrës Arsimore Dibër për punësimin e shtetasit H.Sh..