Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të martën të lërë në fuqi vendimin e Policisë Dibër për gjobitjen me 5 milionë lekë ndaj kandidatit të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit, Elton Debreshi, për shkeljen e masave anti-COVID.
Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshi në fillim të muajit prill ishte gjobitur me 5 milionë lekë për organizim të një tubimi më 26 mars në Bulqizë.
Gjoba ishte vendosur për shkelje të kufizimeve mbi numrin e pjesëmarrësve në tubime, bazuar në një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili prej muajsh shkelet haptazi dhe pa ndëshkim nga partitë politike, përfshi edhe vetë kryeministrin Edi Rama dhe ministren që e ka firmosur.
Pas vendimit, përfaqësuesi ligjor i Elton Debreshit, avokati Gentian Serjani e quajti të padrejtë vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës dhe tha se do të ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Apelit, pasi gjoba kishte një sërë shkeljesh ligjore dhe proceduriale.
“Së pari procesverbali i oficerëve të Policisë Gjyqësore është në shkelje të ligjit për kundravajtje administrative pasi nuk është mbajtur në vendin e ngjarjes dhe që të tregoj saktë numrin e pjesëmarrësve, ashtu siç duhet të jetë një procesverbal i detajuar. Procesverbali është mbajtur në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ndërkohë që ligji për kundravajtjen administrative e përcakton qartë që procesverbali duhet mbajtur në vendngjarje. Pra kemi të bëjmë me një procesverbal që nuk është i ligjshëm. Së dyti, ne ju qëndrojmë sërish arsyetimit se urdhëri që Komisariati i Policisë Bulqizë është tjetër me numër 633, ndërkohë DVP Dibër i referohet një urdhëri tjetër me numër 183. Ky urdhër që i referohet DVP Dibër ka hyrë në fuqi më datë 1 Prill, nuk ka qenë fuqi në atë kohë.” u shpreh Serjani.
Gjoba ndaj Debreshit e vendosur në prill ishte një tjetër tregues i standardeve të dyfishta në trajtimin e rasteve të ngjashme nga policia. Shtabet elektorale të PS dhe PD në Dibër konfirmuan gjatë periudhës së fushatës elektorale se nuk kishin marrë gjoba, ndonëse kanë publikuar në faqet e tyre materiale filmike të tubimeve të organizuara në shkelje të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Avokati i Debreshit u shpreh se Gjykata Administrative nuk e kishte marrë parasysh fare pamundësinë financiare të pagesës së kësaj gjobe nga Elton Debreshi. “Për aq kohë që ne e kemi në gjykatë nuk mund të zbatohet ai vendim dhe të ekzekutohet gjoba. Duke ditur që gjykimi i kësaj çështje në Gjykatën Administrative të Apelit, me këtë volum dosjesh vonojnë deri në 3-4 vite, gjoba pasi kalon një afat dy vjeçar, sipas ligjit për kundravajtjet administrative parashkruhet. Që do të thotë se i bie fuqia ligjore, nuk ekziston më.” shtoi avokati Serjani.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregonin se urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 633 të nëntorit 2020, është shkelur masivisht prej përfaqësuesve politikë të gjitha partive, përfshi kryetarët e tyre dhe madje nga vetë ministrja e Shëndetësisë. Megjithatë numri i gjobave për këto raste shkeljesh ka qenë minimal, duke rënduar më shumë përfaqësues të opozitës.