Shumë pak gra garojnë në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut

376
Votime në Maqedoninë e Veriut. Foto: Radio Evropa e Lirë

Në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, sipas listave të prezantuara deri më tani nga partitë politike, vetëm 8 për qind e kandidatëve janë gra, raporton REL. Partitë duhet të finalizojnë listat për zgjedhjet lokale të tetorit deri më 11 shtator.

Nga partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate, deri më tani, nga 65 kandidatët e prezantuar, vetëm pesë janë gra. Ndërkaq, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka bërë të ditur vetëm gjysmën e emrave të kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit dhe nga 40 emrat e prezantuar, tri janë gra.

Te partitë shqiptare, përqindja e grave që do të garojnë është më e ulët, ku Partia Demokratike Shqiptare ka njoftuar se do të garojë me një grua kandidate për Komunën e Gostivarit, ndërkaq Bashkimi Demokratik për Integrim do t’ia besojë garën për Tetovën një gruaje.

Nga platforma për barazi gjinore kanë kërkuar që në zgjedhjet e tetorit të respektohet përfaqësimi i drejt gjinor sa i përket kandidatëve që të marrin pjesë në garë.

Në bazë të ligjeve, të paktën 40 për qind e listave për këshilltarë në asambletë komunale duhet të jenë gra, por sa i përket garës për kryetar komune, në ligje nuk ka kuota gjinore.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, nga gjithsej 260 kandidatë për kryetarë komune, vetëm 15 ishin gra. Në këto zgjedhje, gjashtë gra fituan zgjedhjet për kryetar komune nga 80 komuna sa ka Maqedonia e Veriut.