Policia e Dibrës njoftoi të hënë se kishte filluar procedim penal për ngjarje aksidentale në punë për dy minatorë të plagosur në tre ditët e fundit.
Policia bëri me dije se pak ditë më parë minatori Adriatik Boba, 29-vjeç u aksidentua në punë teksa punonte në galeritë e kromit të administruara nga Albchrome. Burime nga Spitali i Bulqizës, i thanë BIRN se minatori 29-vjeçar kishte dëmtime në gjymtyrë, por pa rrezik për jetën.
Kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, nuk dha sqarime për ngjarjen deri në publikimin e këtij lajmi.
Ndërkohë policia bëri me dije se të dielën një tjetër minator është plagosur teksa punonte në galeritë e kromit në Krastë të Martaneshit, por pa dhënë detaje për kompaninë. “Janë referuar materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për ‘Ngjarje Aksidentale’ pasi shtetasi Sh.Gj., banues në Krastë, gjatë punës në një galeri kromi në Krastë, Martanesh, është aksidentuar dhe për pasojë ka marrë dëmtime të lehta.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.
Në një deklaratë për shtyp disa ditë më parë, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se kompania dhe organet shtetërore e kanë fshehur ngjarjen për plagosjen e minatorit. “U bëjmë thirrje organeve shtetërore që ta hetojnë seriozisht këtë ngjarje dhe ta vënë kompaninë Albchrome përpara përgjegjësisë, duke i siguruar minatorit të plagosur të gjithë dëmshpërblimin që meriton”, thuhet në deklaratën e SMBB.
Aksidentet në zonën minerare të Bulqizës janë shpeshta. Pesë të vdekur dhe 28 të plagosur u raportuan gjatë vitit 2020 vetëm në minierat e kësaj zonë.