Arrestohet për korrupsion kreu i IKMT-së Dibër, i mori ryshfet biznesmenit të kromit

2700
Lutfi Miftari, ish-drejtor i IKMT-së në qarkun Dibër

Policia arrestoi sot për korrupsion drejtorin e IKMT-së së qarkut Dibër dhe administratorin e një kompanie të kromit.

Në një njoftim për mediat, policia tha se kishte arrestuar drejtorin Lutfi Miftari, 56 vjeç dhe administratorin e kompanisë “H4 Chrom” Eljo Elezi, 34 vjeç.

Si pasojë e arrestimit, Lutfi Miftari u shkarkua më vonë nga Kryeinspektori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Ajet Zyberaj.

Policia thotë se Elezi i ka dhënë 50 mijë lekë ryshfet Miftarit për të mos ndëshkuar për mungesë dokumentacioni kompaninë e tij. “H4 Chrom” sipas policisë nuk kishte leje mjedisore për të operuar në sektorin minerar.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së Miftarit policia tha se gjeti një sasi parash prej rreth 38 mijë eurosh – në kartëmonedha euro, dollarë dhe lekë.