Tre të ndjekur penalisht nga policia e Dibrës për zjarrvënie të qëllimshme

1233
Foto ilustruese

Policia e Dibrës njoftoi se ka proceduar penalisht disa persona të akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme në pronat e tyre dhe në prona publike gjatë javës së fundit. Një prej personave akuzohet se u ka vënë zjarrin shkurreve pranë varrezave të Matit në 11 gusht, ndërsa dy të tjerë  kanë nisur të djegin prona të tyre, por zjarret kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë ndjegur sipërfaqe me shkurre.

“E. R., banues në Maqellarë, po ndiqet panelaisht pasi dyshohet se në fshatin Kovashicë, ka ndezur zjarr e si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me barishte”, njoftoi këtë të enjte policia.

Policia bëri me dije se të hënën e kësaj jave ka proceduar penalisht një tjetër person në Maqellarë akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme. “R. H., banues në Maqellarë, pasi në tokën e tij ka ndezur zjarr e si pasojë zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke tjetër me barishte.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu bëri me dije se zjarret në qarkun Dibër mund të mos jenë të qëllimshme, por nga pakujdesia. Ai tha se megjithatë dëmet ishin të mëdha. “Zjarret nuk kanë qenë rrezik për banesat dhe në Kacni, zjarri ka përshkruar afro 300 hektarë, kryesisht kullota dhe pyje ndërsa dëmi ka qenë i konsiderueshëm”, tha Shehu.

Ai tha se prej fillimit të situatës qarku ka 50 forca zjarrfikëse që janë përballur më flakët, ndërsa janë ndihmuar nga vullnetarë dhe punonjës të pyjores. “Sot që flasim këto zjarre janë nën kontroll. Ndërsa zjarre të pjesshme ka pasur në Mat, sot në një fshat që është fikur. Në territorin e qarkut të Dibrës nuk kemi më zjarre aktive”, thotë Shehu.

I gjithë vendi dhe rajoni janë përfshirë nga vatra zjarri, një pjesë e të cilave dyshohen si raste të zjarr vënies së qëllimshme. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes qarku më problematik është ai i Shkodrës, ku raportohet për 4 vatra zjarri.