Krim në familje, vajza vret babain e saj në Klos

2627
Banesa ku ndodhi krimi brenda familjes në fshatin Gurrë e vogël, Klos. Foto: Mat Tv

Një krim brenda familjes ka ndodhur mëngjesin e së hënës në fshatin Gurrë e vogël të Klosit, ku ka mbetur viktimë Ylber Lezi, i cili dyshohet se është vrarë nga vajza dhe bashkëshortja e tij, brenda në banesë.

Sipas njoftimit të Policisë Dibër, tek 48-vjeçari janë konstatuar plagë në kokë dhe trup, që dyshohet se i janë shkaktuar nga goditja me sende të forta.

“Janë shoqëruar në Komisariat bashkëshortja shtetasja M. L., dhe vajza e tyre A. L., dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Mat, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të saj.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Sipas banorëve të fshatit, viktima Ylber Lezi ka qenë nën efektin e alkoolit dhe ka dhunuar bashkëshorten e tij. Vajza e çiftit e gjendur përballë babait që po i dhunonte nënën, ka qëlluar me sende të forta në kokë babain e saj, i cili ka ndërruar jetë në vend.

Në momentin kur policia ka shkuar në banesë, Lezi ka qenë i pajetë, ndërsa bashkëshortja e tij ka shfaqur rezistencë duke mos i lejuar uniformat blu që të futen brenda.

Sipas banorëve të zonës, i ndjeri konsumonte alkool, çka sillte që edhe problemet në familjen e tyre të ishin të vazhdueshme.