Apeli Administrativ përshpejton gjykimin për HEC-in në Zall Gjoçaj

Gjykata e Apelit Administrativ ka vlerësuar si të drejtë kërkesën e banorëve të Zall Gjoçaj se, gjykimi i padisë ndaj ERE për lejimin e ndërtimit të një HEC-i në zonë të mbrojtur është urgjent dhe paraqet interes të gjerë publik.

757
Tubacion HEC-i. Foto: A. Diku

Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur të premten më 9 korrik që të pranojë kërkesën e banorëve të Zall Gjoçaj për përshpejtimin e gjykimit për pezullimin e vendimit të Entit Rregullator të Energjisë, ERE, për licencimin e shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC “Zais”.

Në vendimin e relatorit të çështjes, gjyqtarit Ardian Dvorani thuhet se, vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesës për përshpejtimin e shqyrtimit të kësaj çështje të depozituar në Apelin Administrativ më 10 qershor 2021 nga pala paditëse e përfaqësuar nga Besim Pasha, Hasan Pasha, Hazis Lala, Abdi Toçi, Sherif Koleci, Sali Koleci, Avni Koleci dhe Dhimitër Koleci.

Për banorët shqyrtimi i kësaj çështje nga Gjykata Administrative e Apelit është urgjente, pasi çdo ditë e humbur mund të sjellë dëme të pandreqshme në ekonominë e zonës.

Më 30 qershor, banorët e fshatrave të Zall Gjoçajt në Mat protestuan përpara Gjykatës Administrative të Apelit kundër zvarritjes prej më shumë se një viti të çështjes kundër ndërtimit të HEC-eve në Parkut Kombëtar. Ata theksuan se megjithëse kishte një vit që kishin nisur këtë betejë ligjore, nuk kishte ende një vendim përfundimtar dhe kompania ndërtuese vijon punimet për ndërtimin e HEC-it brenda një parku kombëtar, ku me ligj nuk lejohet që “as bagëtitë të kullosin”.

Gjatë protestës së banorëve të Zall Gjoçaj dhe aktivistë, para Gjykatës Administrative të Apelit për shqyrtimin e ankimimit që lejon ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë. Foto: Citizens Channel

Zona ku po kryhen punime për ndërtimin e HEC-it bënë pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore.

Leja për HEC-it në Zall Gjocaj u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por banorët e kundërshtuan dhe iu drejtuan me kërkesë padi Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë duke kërkuar shfuqizimin e vendimit që i hapi rrugë këtij projekti. Më 18 janar 2021, shkalla e parë vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë, konkretisht për pjesën e licensimit të HEC-it Zais, pasi HEC-i shtrihet në zonën e mbrojtur.

Në vendimin e gjykatës së Apelit Adminsitrativ të së premtes sqarohet se banorët e Zall Gjoçajt, në cilësinë e palës paditëse, kanë parahstruar në kërkesën për përshpejtim se, zgjidhja në kohë sa më të shpejtë dhe të arsyeshme e kësaj çështjeje paraqet interes të gjerë publik jo vetëm për paditësit dhe banorët e tjerë të Njësisë Administrative Derjan-Mat, por edhe për shkak se zhvillimi i këtij projekti ndodh pjesërisht brenda në parkun kombëtar ku nuk lejohet asnjë veprimtari dhe ndërhyrje nga njeriu.

Ata theksojnë se lumi që projektohet të shfrytëzohet për HEC-in është i vetmi burim i ujit të pijshëm për banorët e zonës, i cili aktualisht po dëmtohet dhe po bëhet i papërdorshëm.

Bazuar në parashikimet e Kodit të Procedurës Civile dhe në një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj për “për kalendarin e shqyrtimit të çështjeve në Gjykatën e Apelit”, gjyqtari relator i çështjes, Ardian Dvorani i vlerëson specifike rrethanat e kësaj çështje. Duke i lidhur këto rrethana me interesin publik dhe interesin e palëve në proces, Dvorani çmon se kërkesa për përshpejtimin e gjykimit plotëson kushtin “e shkaqeve veçanërisht të rënda dhe të motivuara”, sipas parashikimeve ligjore dhe e ka pranuar atë.

Nisur nga ngarkesa e konsiderueshme në Gjykatën e Apelit Administrativ, si dhe nga koha e regjistrimit dhe numri i madh i çështjeve në radhë për tu shqyrtuar, Dvorani vlerëson se periudha më e arsyeshme dhe e mundshme për shqyrtimin në mënyrë të përshpejtuar të kësaj çështje është në muajt shtator-tetor 2021.

Banorët e Zall Gjoçaj në shkurt të këtij viti paditën në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ministrin e Mjedisit, Blendi Klosi dhe zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, por edhe kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj për lejimin e ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea.

Banorët ngritën 7 akuza ndaj zyrtarëve dhe kompanisë; por nuk ka ende një vendim të SPAK për çështjen.

Sipas Raporti i vitit 2020 për numrin e hidrocentraleve në Ballkan, përgatitur nga organizatat ndërkombëtare mjedisore “RiverWatch” dhe “EuroNatur”, në total në Shqipëri janë planifikuar 724 hidrocentrale, ku 290 janë vënë tashmë në punë, ndërsa 24 HEC-e të tjera po ndërtohen dhe 410 të tjerë janë planifikuar për t’u ndërtuar. Në shumë projekte, ndërtimi i këtyre HEC-eve ka sjellë protesta nga komunitetet që prekeshin nga marrja e ujit.