BE: Shtyhet sërish çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

673
Foto ilustruese nga interneti

Me gjithë përpjekjet e bëra nga presidencat gjermane dhe portugeze, Këshilli i BE-së e shtyu sërish çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo u bë e qartë pas takimit të Këshillit të Ministrave për çështje të përgjithshme, që u zhvillua të martën, më 22.06.21, në Luksemburg. 

Me gjithë përpjekjet  tona, nuk arritëm që të miratojmë kornizën negociuese dhe të caktojmë datat për fillimin e konferencave të para ndërqeveritare, tha Ana Paula Zacarias, Sekretare shteti për çështje të Evropës  në ministrinë e jashtme të Portugalisë, në funksionin e saj si kryetare e radhës së konferencës. Zacarias dha si shkak veton e Bullgarisë për shkak të konfliktit ende të pazgjidhur me Maqedoninë e Veriut për çështjen e historisë. Ajo tha se “e inkurajojmë presidencën sllovene që të vijojë përpjekjet për të realizuar çeljen e negociatave gjatë semestrit të ardhshëm”. 

Gjermania apelon te Bullgaria 

Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, kishte thënë para takimit në Luksemburg se shpresonte që të arrihej një marrëveshje për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Sot është në pyetje besueshmëria e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Para një viti vendosëm që të çelen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. E tani ka ardhur koha që kjo të ndodhë”, tha ministri socialdemokrat.

Michael Roth, ministri gjerman i Evropës, para ministerialit për Çështje të Përgjithshme në Bruksel.

Roth nuk e fshehu pakënaqësinë e tij ndaj vetos bullgare: “Unë nuk kam aspak mirëkuptim që këto vendime kaq të nevojshme të shtyhen për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe. Këto mosmarrëveshje nuk duhet të zgjidhen në BE”, tha ai.  “Këto vende i kanë plotësuar kushtet dhe ne duhet të bëjmë tonën”, tha ministri socialdemokrat.

Michael Roth tërhoqi vëmendjen për domosdoshmërinë e shtyrjes së vendimit në planin strategjik, duke argumentuar se vonesa të tilla do të krijojnë vakuume që “do të zihen nga të tjerët, të cilët nuk përfaqësojnë të njëjtat vlera si ne”.

Ndarja nuk është opsion

Edhe zëvendëskryetarja e Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në Bundestagun Gjerman, Katja Leikert, në një intervistë dhënë programit shqip të DW, u shpreh e pakënaqur ndaj vetos së Bullgarisë. “Na vjen shumë keq, që për shkaqe të politikës së brendshme në Bullgari të mos çelen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ajo. Leikert  u shpreh kundër shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së: “Ne do t’i donim të dy vendet së bashku, sepse të dyja kanë bërë shumë përpjekje, dhe tani duhet të shpërblehen”. 

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet ta nisin së bashku procesin e anëtarësimit” , thotë Katja Leikert, zëvendëskryetare e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, në një intervistë me DW.

Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut është propozuar nga Bullgaria por nuk mbështet nga shumica e vendeve anëtare.  Ministri gjerman i punëve të jashtme, Heiko Maas, e tha para ca kohësh në Berlin se ndarja nuk vjen në pyetje. Edhe ministri i  jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar, të cilit, nga 1 korriku do t’i kalojë dosja e zgjerimit, së bashku me çështjet e tjera të BE-së,  në një intervistë me rrjetin Euractiv është shprehur se është kategorikisht kundër ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.