Bulqizë, prerje e paligjshme e pyjeve, arrestohen dy vëllezër dhe procedohen penalisht 3 të tjerë

2228
Prerje e paligjshme e pyjeve në Bulqizë. Foto: DVP Dibër

Policia e Dibrës njoftoi të martën arrestimin e dy personave dhe nisjen e procedimit penal ndaj 3 personave të tjerë, të përfshirë në prerjen e paligjshme të pyjeve.

“A. C., 23 vjeç, dhe B. C., 27 vjeç, (vëllezër), banues në Fushë-Bulqizë si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. C. Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme në vendin e quajtur “Kurora e Liqenit të Zi”, Bulqizë.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Policia njofton se ka bllokuar edhe një sasi druri që po transportohej pa dokumentacionin përkatës në zonën e Gjoricës. Ndërkohë në lidhje me këto raste, janë proceduar penalisht dy persona. “Po në vijim të kontrollit të territorit  janë proceduar penalisht nga Policia shtetasit G. I., dhe A. I., pasi në zonën e Gjoricës janë konstatuar duke transportuar lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Materialet procedurale në ngarkim të personave të lartëpërmendur i janë referuar Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.

Ky është rasti i pestë i goditjes së prerjeve të paligjshme të pyjeve në qarkun e Dibrës. Më parë një sërë zyrtarësh lokalë dhe disa persona janë proceduar penalisht për prerje të paligjshme të pyjeve.

Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit. Një studim i PPNEA (Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), në nëntor 2019-të, gjeti se moratoriumi i pyjeve kishte kufizuar prerjet e pyjeve në sipërfaqe të mëdha, por se prerjet ishin intensifikuar në sipërfaqe të vogla.