Kullat në Dibër tërheqin turistët, por jo investimet shtetërore

1714
Kulla e Sul Hupit në fshatin Dushaj, Bulqizë, shpallur Monument Kulture të Kategorisë I (të parë) në 8 janarin e vitit 1977. Foto: G. Emiri

Buzë një kodre në fshatin Dushaj të Bulqizës është ngritur prej dekadash një kullë tre katëshe. Me rëndimin nga vitet një prej kateve është shembur, duke i ndryshuar pamjen, por jo madhështinë monumentit prej guri.

“Banesa e Sul Hupit” statusin e ka të lartë, por përkujdesjen të pakët.  Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e shpalli Monument Kulture të Kategorisë I (të parë) në 8 janarin e vitit 1977.

Me vendimin e datës 13 shkurt 2013, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi projektin për restaurimin e saj, hartuar nga ish-Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Por projekti ka mbetur në letër, teksa trashëgimtarët e familjes janë shpërngulur sot në një banesë të re të ngritur aty pranë dhe tregojnë se përballen me vështirësitë financiare për të ndërhyrë, por edhe se nuk mund të bëjnë asgjë për kullën pa lejen e institucioneve të kulturës.

Dëmtimi i Kullës së Sul Hupit, Bulqizë. Foto: G. Emiri

“….pronarët dhe poseduesit e pasurive të paluajtshme kulturore kanë për detyrim të kujdesen për të ruajtur dhe mbajtur në gjendje të mire pasuritë kulturore, duke respektuar dispozitat e këtij ligji”, shpjegoi për Amfora.al, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).

Në përgjigjen zyrtare të sjellë më herët IKTK, shpjegonte se Drejtoria e Kulturës Shkodër nisur nga shtrirja në territor dhe numri i madh i monumenteve nën administrim planifikon fondet e buxhetit të shtetit në dispozicion për punimet e mirëmbajtjes dhe për ndërhyrjet restauruese.

IKTK nuk njoftoi për ndonjë plan të saj për restaurimin e monumentit që dita-ditës po degradon. Me dritare prej guri dhe hyrje me qemer, banesa e ruan ende madhështinë e dikurshme.

Kulla e Sul Hupit. Foto: G. Emiri

Familja Hupi është një prej më të vjetrave në fshat, duke zotëruar dikur 4 kulla, dy prej të cilave janë shembur dhe në këmbë është banesa e shpallur monument kulture dhe një tjetër ku trashëgimtarët e mirëmbajnë vazhdimisht.

Rajoni i Dibrës trashëgon banesa të tipit kullë që për nga ndërtimi dhe arkitektura përfaqësojnë vlera të spikatura ndërtimore, por një pjesë e të cilave siç do të analizohet në shkrime të tjera pavarësisht statusit të mbrojtjes si monumente janë degraduar nga mungesa e ndërhyrjeve restauruese dhe konservuese.

Kulla e Sul Hupit. Foto: G. Emiri