Procedohen penalisht 5 simpatizantë të PD në Dibër, pasi ndaluan për kontroll punonjësen e postës me dyshimin se po blinte vota

1525
Njësia administrative Maqellarë

5 simpatizantë të Partisë Demokratike në Maqellarë të Dibrës janë proceduar penalisht nga policia, pasi kanë ndaluar një postiere nën dyshimin se po shpërndante para për të blerë vota. Sipas Policisë, këta persona kanë ndaluar dhe kontrolluar automjetin me të cilin udhëtonte punonjësa e Postës së Maqellarës, me detyrë shpërndarëse e pensioneve në këtë njësi.

“Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar i grupit hetimor dhe shërbimeve të Policisë në automjetin që udhëtonte shtetasja F. M., nuk u gjet asnjë send kompromentues në lidhje me procesin zgjedhor.” thuhen në deklaratën e DVP Dibër.

Pas kontrollit të automjetit të punonjëses së postës nga simpatizantët e Partisë Demokratike, kjo e fundit ka bërë kallëzim në Polici. DVP Dibër njoftoi se ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë për 5 personat që ndaluan postieren. “A. S., Gj. M., L. H., B. D., A. O., banues në Dibër, (simpatizanë të një subjekti politik). Këta shtetas në mënyrë të kundraligjshme, në fshatin Burim, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke ndaluar dhe kontrolluar një automjet , që udhëtonte shtetasja F. M,  punonjëse në Postën e Maqellarës.” thuhet në deklaratën e Policisë.

Njëri nga të proceduarit, që kërkoi mos i bëhej publik identiteti, në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al tha se kishin dyshime se ponunjësa po shpërndante para për të blerë vota dhe i kishin kërkuar që tregonte se çfarë kishte me vete. “Por në asnjë moment as e kemi dhunuar, as e kemi cënuar. Në këtë situatë ne jemi vigjilent për çdo lëvizje që mund të jetë e dyshimtë për procesin zgjedhor.”

Punonjësja e postës që u ndalua nga simpatizantët e Partisë Demokratike, nuk ishte e disponueshme për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Të enjten në Dibër mbështetës të PD dhe kandidatë të saj për deputetë ndaluan një makinë po në Maqellarë, në të cilën u gjetën lista votuesish, 500 mijë lekë dhe broshura të kandidatit të PS Melaim Damzi. Dy persona, përfshi një drejtor të bashkisë Bulqizë, të kontrolluar nga PS u arrestuan me dyshimin se po blinin vota. Në një deklaratë për mediat PS e Dibrës pretendoi se blerësit e dyshuar nuk ishin të saj, por të LSI. Të arrestuarit kanë këmbëngulur se ishin të pafajshëm.

Ndërsa një ditë më parë Policia njoftoi fillimin e procedimit penal në gjendje të lirë ndaj kandidatit të PD-së, pasi ai deklaroi se çdo person i dyshimtë do e pësonte “njëlloj si ai i Elbasanit”, duke iu referuar vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Mziu shprehu pendesë pas deklaratës.