Imeraj: “Qytetari që u kap në Dibër me para për të blerë vota nuk është i PS, por i LSI-së”

1511
Dionis Imeraj gjatë një takimi elektoral në Peshkopi.

“Qytetari që u kap të enjten në Dibër me para për të blerë vota nuk është i Partisë Socialiste, por i LSI-së”, ka bërë me dije shtabi elektoral i Partisë Socialiste Dibër, në një deklaratë për opinionin publik ditën e sotme.

Duke folur në emër të shtabit elektoral të PS Dibër, kandidati i PS-së, Dionis Imeraj theksoi se “personi në makinën e kapur nuk është i yni, po blinte vota për LSI-në”.

“PS e Dibrës mbështet pa asnjë rezervë hetimin dhe zbardhjen deri në fund të rastit të djeshëm, ku një turmë e orkestruar njerëzish ndaluan një makinë me pretendimin se kishin kapur një votëblerës socialist”, thuhet në deklaratën e shtabit elektoral të PS-së Dibër.

“Për ne çdo individ që përfshihet apo kryen një krim elektoral nuk ka ngjyrë, po meriton vetëm ndëshkim. Por pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie. Ne nuk e dimë dhe as na takon të hamendësojmë nëse ky individ ishte vërtetë një blerës votash për LSI. Këtë le ta thotë drejtësia. Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim”, shprehet shtabi elektoral i PS-së.