Xhelal Mziu procedohet penalisht në gjendje të lirë

878
Drejtoria Vendore e Policisë së qarkut Dibër

Deklarata e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, se kushdo që tenton të vjedhë votën do ta pësojë njësoj si ngjarja në Elbasan, ku mbeti i vrarë një qytetar dhe u plagosën katër të tjerë, ngjalli shumë polemika, ndërsa çështja ka shkuar deri te procedimi penal.

Nga oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.

Në njoftimin e Policisë Dibër bëhet me dije se thirrja e Mziut gjatë takimit elektoral në Dibër është cilësuar si kërcënim dhe nxitje për dhunë.

“Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryejnë veprime duke cenuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve,” – thuhej në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, pasi kandidati për deputet i PD-së ka kërkuar falje për deklaratën e tij, duke e konsideruar si të panevojshme, ka reaguar dhe ambasadorja Yuri Kim duke bërë thirrje për ushtrimin e të drejtës së votës pa pasur ngjarje të ngjashme me atë të Elbasanit.