Blerja e votave, Prokuroria Dibër ngre dy akuza për drejtorin juridik të Bashkisë Bulqizë

1577
Drejtori Juridik i Bashkisë Bulqizë, Denis Xholi gjatë daljes nga makina e rrethuar nga simpatizantët e PD në Maqellarë.

Prokuroria e Dibrës ka nisur zyrtarisht procedim penal ndaj dy personave që u shoqëruan nga policia, pasi në makinën me të cilën udhëtonin u gjetën 500 mijë lekë, fletëpalosje dhe lista me emra votuesish. Makina u bllokua në Maqellarë nga mbështetës të Partisë Demokratike me dyshimin se ishin duke shpërndarë para për vota. Me mbërritjen e policisë dhe prokurorisë makina u ekzaminua në vendngjarje, ndërsa dhjetëra mbështetës të PD qëndronin rreth saj.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:  A. C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Një nga personat e arrestuar është drejtori Juridik i Bashkisë Bulqizë, Denis Xholi. Mësohet se Xholi në deklaratën e tij para oficerëve të policisë e ka mohuar akuzën se paratë që kishte në makinë i kishte për të blerë vota, por se ia kishte dhënë hua një i afërm nga Durrësi për arsye familjare.

Në makinën e Xholit, u gjetën fletëpalosje dhe postera fushate për kandidatin Melaim Damzi dhe një listë me emra votuesish. Ky i fundit ka filluar punë jurist në bashkinë e Bulqizës, në kohën kur Damzi u zgjodh kryetar në vitin 2015-të.

Policia bëri me dije se janë proceduar penalisht edhe dy prej mbështetëve të PD-së për bllokimin e rrugës. “Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit  A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Ky është incidenti i katërt i ngjashëm në vend që prej fillimit të fushatës zgjedhore.