Ambasadorja Yuri Kim reagon për deklaratën e Xhelal Mziut në Dibër

978
Ambasadorja, Yuri Kim dhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu

Ambasadorja Yuri Kim, reagoi nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Twitter, ku u shpreh se ndihej mirë për faljen që kërkoi kandidati i Partisë Demokratike në Dibër, Xhelal Mziu.

Ajo sqaroi se ngjarja e ndodhur në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe katër të plagosur, mes të cilëve dhe një efektive policie nuk duhet të përsëritet më.

“Mirë të shohësh ndjesë të qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët kur grupet e armatosura që mbajnë anën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugëve i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë.” Shkruan Yuri Kim.

Kryesuesi i listës së PD-së në Dibër, Mziu gjatë një takimi elektoral deklaroi se qytetarët duhet të raportojnë te Strukturat e Mbrojtjes së Votës për çdo person të dyshimtë që lëviz në lagjet e tyre. Për Mziun, nëse ka informacione për persona të tillë që tentojnë vjedhjen e votës, do ta pësojnë njësoj si në rastin e Elbasanit.