Kandidati i pavarur i Dibrës padit në Gjykatën Kushtetuese pragun zgjedhor prej 1%

609
Elton Debreshi, gjatë dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për rrëzimin e pragut kombëtar prej 1% të sistemit zgjedhor.

Elton Debreshi, kandidat i pavarur në Qarkun e Dibrës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për rrëzimin e pragut kombëtar prej 1% të sistemit zgjedhor.

Sipas tij, ky prag diskriminon kandidatët e pavarur, të cilëve në ndryshim nga partitë politike, u kërkohen më shumë vota për të marrë një mandat.

“Unë kandidoj në Qarkun e Dibrës dhe unë në atë qark përfaqësoj vetëm votuesit e Bulqizës, Peshkopisë, Burrelit dhe Matit që janë katër bashki. Por unë duhet të marrnumrin e votuesve të gjithë Shqipërisë që do të votojnë atë ditë për të dalë si kandidat.  Prandaj kjo është diskriminuese, kështu që shpresojmë që Gjykata ta marri parasysh dhe sa më shpejt ta shqyrtojë këtë problematikë që në fakt është I mijëra qytetarëve, jo vetëm i imi”,-u shpreh Debreshi.

Ai sqaron se një ndikim në mos arritjen e këtij pragu është edhe largimi i votuesve, kryesisht të rinjve nga qarku Dibër.

“Në fakt ato thjesht kanë lehtësuar subjektet e tyre. Ne si subject që jemi, kandidati I pavarur është goxha e vështirë për arsye se edhe qarku, sot rinia nuk ka shumë votues. Në qarkun e Dibrës do ketë edhe më shumë ulje të votuese. Partitë e kanë më shumë të thjeshtë ndërsa unë e kam më të vështirë duke parë që duhet 1% e rendit kombëtar në Shqipëri”.

Për juristin Gentian Serjani kjo padi ka si qëllim të shfuqizojë nenin e Kodit Zgjedhor, i cili përllogarit mandatet.

“Kërkesa jonë drejtuar Gjykatës Kushtetues ka si objekt të saj shfuqizimin e pikës 1 të nenit 62 ët Kodit Zgjedhor I cili përcakton përllogaritjen e mandateve. Sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor është përcaktuar një prag elektoral në nivel kombëtar, por që në mënyrë indirekte, ën mënyrë të pa barabartë për qytetarët të cilët kandidojnë si të pavarur dhe janë propozuar nga zgjedhësit. Që do të thotë në qoftë se një kandidat I propozuar nga zgjedhësit kandidon vetëm në një zonë zgjedhorë ai duhet të përllogaritet në një votë në rang kombëtar”,-sqaron Serjani.

Juristi Serjani argumenton më tej se kjo nismë është për të gjithë qytetarët, me qëllim krijimin e mundësive për të kandiduar të rinj në sferën politike.

“Ndoshta Eltoni me modelin e tij për të thyer këtë politikën 30 vjeçare doli dhe kandidoi edhe për ti ardhur në ndihmë minatorëve, statusit të minatorëve dhe atij grupi që ai e ka me shumë dëshirë ti ndihmojë, nga ana tjetër e ka sjellë këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për të ndihmuar qytetarët shqiptarë për të hapur dhe për të krijuar mundësi që të ketë njerëz të rinj që kanë bindje të ndryshme nga këto parti 30 vjecare që e kanë marrë peng vendin tonë”.

Si ndryshoi pragu zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2021?

Ulja e pragut rajonal u shoqërua edhe me ndryshimin e rregullave. Sot një kandidat i pavarur apo parti jo parlamentare duhet të marrë jo më 3% të votave të një zone zgjedhore, por 1% të totalit të votave në të gjithë Shqipërinë. Çka për qytetet e vogla me pak votues mund ta bëjë të pamundur kalimin e pragut, pavarësisht se një kandidat merr votat që nevojiten për një mandat.

Sipas nenit 162, pika 1 të Kodit Zgjedhor, kandidatët apo subjektet zgjedhore të cilët kanë marrë në zgjedhje më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi nuk kanë mundësinë për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë.

Pragu elektoral është ndryshuar ndër vite në Shqipëri. Fillimisht zgjedhje pa prag elektoral në vitin 1991, ndjekur më pas nga zgjedhje me prag minimal prej 2%, 2.5%, 4%, rajonal 3% dhe tanimë në zgjedhjet e vitit 2021 me pragun kombëtar prej 1%.

Shqipëria ka 12 zona zgjedhore prej te cilave dalin 140 deputetë. Numri i mandateve të dala për qark përcaktohet nga numri i votuesve. Si e tillë, qarku i Kukësit është qarku që prodhon më pak deputetë, përkatësisht 3, ndërsa qarku I Tiranës  është qarku më i madh, i cili zgjedhjet e vitit 2021 nxjerr 36 deputetë, për shkak të shtimit të popullsisë.

Nëse një parti apo subjekt politik qoftë ai edhe i pavarur nuk merr 1% të votave në rang kombëtar ai nuk ka mundësi të shkojë në kuvend. Në zgjedhjet e vitit 2017, në qarkun e Tiranës, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet arriti të marrë 2.99% të votave, mirëpo nuk I dhanë mundësi të përfaqësohej me deputet në Kuvend. Kjo pasi pragu elektoral ishte mbi 3% të votave të qarkut. Të gjitha votat e marra nga kjo parti politike, praktikisht ishin të shkuara dëm.

Sistemi zgjedhor për vitin 2021 do të funksionojë me lista të hapura në 2/3 të listave. Ndërsa do të aplikohet edhe vota preferenciale.