E kujt Dibre është “Bashkësia Dibrane”?

1004
Projekti i HEC Skavicës.

…Thashë se në “vendimet e rëndësishme” do të gjeja thirrjen për ti thënë NDAL shuarjes së Dibrës, ndal mbytjes së historisë së një treve që ka mbajtur në kurriz 18 beteja fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kundër hordhisë më të madhe të Mesjetës turqve osmanllinj, që u dogj dhe u shkri deri në prag shuarjeje nga pushtuesit osmanë pas vdekjes së Skënderbeut, që u dogj dhe u zhbi deri në ikje biblike nga serbët e serbosllavia…

Në postën time elektronike më erdhi sot, 2 prill 2021, njoftimi se në Tiranë është mbajtur “Mbledhja e Shoqatës “Bashkësia Dibrane” ku, siç shtohet janë marrë “vendime të rëndësishme”.

Si çdo gjë dibrane, e asaj dhe kësaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar, nxitova të lexoj “vendimet e rëndësishme”.

Mendja më shkoi tek “tragjedia” e shkruar dhe e votuar në ligj e shuarjes njëherë e përgjithmonë të luginës madhështore të Drinit të Zi, luginë që fillon në Miresh e mbytet në liqenin e Fierzës, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Thashë se në “vendimet e rëndësishme” do të gjeja thirrjen për ti thënë NDAL shuarjes së Dibrës, ndal mbytjes së historisë së një treve që ka mbajtur në kurriz 18 beteja fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kundër hordhisë më të madhe të Mesjetës turqve osmanllinj, që u dogj dhe u shkri deri në prag shuarjeje nga pushtuesit osmanë pas vdekjes së Skënderbeut, që u dogj dhe u zhbi deri në ikje biblike nga serbët e serbosllavia.

E mendova këtë sepse nuk është mbush muaji nga dita kur kuvendi i Shqipërisë, pa asnjë zë kundër, vendosi ta mbysë Dibrën duke ndërtuar hidrocentralin e Skavicës.

Kërkova të gjej protestën e vendosur të të gjithë anëtarëve të shoqatës që në gjirin e saj mban dyzyna “Mjeshtër i Madh” dhe tituj të tjerë të shkallës më të lartë.

Thashë se në “vendimet e rëndësishme” do të lexoja peticionin e “Këshillit të të urtëve” me ftesë për të gjithë Dibranët për tu bërë firmëtarë të protestës për ti thënë JO SKAVICËS”, kudo ku janë, kësaj e asaj ane të kufirit, në Evropë, Amerikë, Azi, Afrikë, Australi, ku flitet dibrançe.

U zhgënjeva.

Shpresoj që duke e lexuar “Mbledhjen e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”” dhe “vendimet e saj të rëndësishme” numri të zhgënjyerve do të rritet në progresion gjeometrik.

Pyeta dhe pyes veten si është e mundur që një komunitet dibranësh të parët e të cilëve ikën në mënyrën më të dhunshme nga pushtimi serb në vitin 1913 e në vitet e mëvonshme deri me mbytjen e rreth “5000 hektarë të tokës më pjellore”, që siç thoshte kryetari i komunës së Dibrës së Madhe Argëtim Fida në vitin 2010, “vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane”… dhe… “të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk donë të ja dijë në se këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën”, (PO DIBRËS, JO SKAVICËS f.6), të mos ndjejë asnjë dhimbje për shuarjen nga faqja e dheut të trevës nga mbajnë mbiemrin e trevës dhe të parëve të tyre?

Unë jam dibran dhe më dhemb çdo gjë që degëzon në gjakun e saj. Më ka dhimbur dhuna mbi degën e Drinit të Zi, Radikën, tharjen e saj për interesa sllavomaqedone, ashtu siç më ka dhimbur virgjëria e Setës që u përdhos me futjen e rrjedhës qelibar të saj nëpër tuba duke shuar një bukuri të rrallë të natyrës, ashtu siç më ka dhimbur edhe Valbona nga HEC-et korruptive mbi të dhe çdo gjë që i është vënë kazma e tash po u vihen buldozerët e sofistikuar të kohës.

Kam shkruar me dhjetëra shkrime dhe një libër të përveçëm “PO DIBRËS! JO SKAVICËS”, u jam drejtuar me letra të hapura autoriteteve të larta që kanë sunduar vendin këto 30 vjet. U jam drejtuar me emër e mbiemër deputetëve dibranë të djathtë e të majtë, intelektualëve dibranë në vend e në botë…

Dhe do të shkruaj sa të kem jetë.

Mua nuk më mbytet as edhe një pëllëmbë troje të paraardhësve të mi, ashtu siç nuk u mbytet edhe “Të urtëve” të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”.

Më mbytet Dibra.

Thjesht: MË MBYTET DIBRA.

Më mbytet Dibra që të shpëtojë nga përmbytja Shkodra!!! (Thënie në ligjëratë të drejtë nga Berisha e Rama) Më mbytet Dibra që korrupsioni galopant shqiptar të lundrojë “Liqenit të Zi” të Dibrës…

Me ndërtimin e Skavicës nuk ka më Dibër. Me ndërtimin e Skavicës shuhet nga faqja gjeografike lumi Drini i Zi. Shuhet e kaluara dhe mbytet e tashmja dhe e ardhmja.

Nuk e di në se më kuptojnë “Të urtët” e “Bashkësisë Dibrane” çuditërisht dalë në fotografi pas “vendimeve shumë të rëndësishme” me dy gishtat lart!!!

Zgjedhje e tyre…

Ta mbajnë me shëndet…

Mua si dibran më lind e drejta të pyes:

E KUJT DIBRE ËSHTË “BASHKËSIA DIBRANE”