Tekniku dhe brigadieri i kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, u proceduan penalisht në gjendje të lirë nga policia, pasi një ditë më parë një minatorë u plagos në galeri.
Policia e Dibrës njoftoi se personat e proceduar penalisht kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të galerisë dhe kanë neglizhuar punën. “A. D., 53 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë teknik sektori në një subjekt minerar. F. K., 48 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, thuhet në deklaratën e policisë.
Kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, në një deklaratë për mediat pas aksidentit të djeshëm, fajësoi për pakujdesi minatorin e plagosur.
“Fadroma që po manovronte brenda në minierë ka dëmtuar strukturën armatike kuadratike me profile metalike, në zonën e Qafë Buallit. Si pasojë e kësaj pakujdesie është lënduar fadromisti E.B. Menjëherë, fadromisti i lënduar është shoqëruar për në spitalin e Tiranës, pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi avaro-shpëtues dhe mjekësor në minierë”, thuhej në reagimin e Albchrome.
Materialet për aksidentin i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.
Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të Bulqizës deklaroi se heshtja e institucioneve ndaj aksidenteve po i kthente minierat në kurthe vdekjeje.
“Që prej 2019, si SMBB kemi luftuar që jeta e punëtorëve të jetë sa më e sigurt, por shfrytëzimi pa kriter i pronarëve dhe heshtja shtetërore po i kthen këto miniera në varre masive,” tha Sindikata.
“U kërkojmë institucioneve përkatëse të hetojnë ngjarjen deri në fund dhe i urojmë vëllait tonë, minatorit Edi Beka, shërim sa më të shpejtë,” përfundoi ajo.
Ky është aksidenti i gjashtë në tre muajt e parë të këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që vetëm tre aksidente ishin raportuar gjatë gjithë vitit 2020.