Aksident në galeritë e Albchrome, plagoset një minator

2233
Miniera e Bulqizës. Foto: Albchrome

Një minator u plagos të mërkurën në galeritë e menaxhuara nga Albchrome në minierën e Bulqizës. Policia e Dibrës njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 11.05 dhe se “E.B, 31 vjeç ishte plagosur gjatë punës”.

Një burim nga spitali i Bulqizës i tha Bulqizaime.al se i plagosuri kishte dëmtime të kraharorit dhe dyshohej për thyerje të brinjëve. Minatori i aksidentuar është dërguar drejt spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar, por është jashtë rrezikut për jetën.

Kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, fajësoi për pakujdesi minatorin e aksidentuar. “Fadroma që po manovronte brenda në minierë ka dëmtuar strukturën armatike kuadratike me profile metalike, në zonën e Qafë Buallit. Si pasojë e kësaj pakujdesie është lënduar fadromisti E.B. Menjëherë, fadromisti i lënduar është shoqëruar për në spitalin e Tiranës, pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi avaro-shpëtues dhe mjekësor në minierë”, thuhet në reagimin e Albchrome.  

Ky është aksidenti i gjashtë në tre muajt e parë të këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që vetëm tre aksidente ishin raportuar gjatë gjithë vitit 2020.

Kushtet e sigurisë në galeritë e nxjerrjes së kromit në Bulqizë, janë problematike prej vitesh, ndërsa zona ka numrin e dytë në vend pas Tiranës për numrin e të vrarëve në aksidente në punë.

Pesë të vdekur dhe 28 të plagosur u raportuan gjatë vitit 2020 vetëm në minierat e kësaj zonë. Ndërkohë në fillim të vitit 2021 një person humbi jetën në galeritë e kontrolluara nga kompania “KACI – IF – 2012” shpk.