Dhjetëra fshatra në Bulqizë dhe Dibër prej katër ditësh pa energji elektrike

1028
punonjës të OSHEE duke riparuar linjat elektrike të dëmtuara nga moti. Foto: OSHEE

Mijëra banorë janë pa energji elektrike prej katër ditësh, si pasojë e defekteve të shkaktuarapas reshjeve të borës. Situata më problematike paraqitet në njësitë administrative Trebisht dhe Ostren, të bashkisë Bulqizë, ku në të gjithë fshatrat ka mungesë energjie. Nga të dhënat nga Prefektura Dibër, bëhet me dije se një pjesë e linjave janë këputur dhe janë rrëzuar shtyllat.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu u shpreh për Bulqizaime.al se deri më tani ka probleme me furnizimin me energji në disa njësi administrative.” Kemi mungesë të energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Fushë-Çidhën, Selishtë, Lurë, Reç, Zall Dardhë e Muhurr të Bashkisë Dibër për shkak të dëmtimit të 3 fidrave dhe disa shtyllave. Në Bashkinë Bulqizë kemi pa energji njësinë administrative Trebisht, Ostren, Gjoricë,  Zerqan e pjesërisht njësinë administrative Shupenzë” u shpreh Shehu.

Temperaturat e ulëta dhe era e fortë me reshje dëbore që përfshiu Dibrën që prej mbrëmjes të së shtunës, ka krijuar probleme të shumta në fshatra, ku dhjetëra rrugë janë të bllokuara.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu u shpreh për Bulqizaime.al se deri më tani rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa disa akse rurale në Bashkinë Dibër dhe Bulqizë vazhdojnë që të jenë të bllokuara. “Akset e rrugëve rurale në administrim të bashkive, nga qendrat administrative me rrugët kryesore janë të bllokuara vetem në njësinë administrative Lurë të Bashkise Dibër. Vazhdojnë të bllokuara rrugët e fshatrave me qendrat administrative të njësive: Kala e Dodës, Zalldardhë, Reç, Muhurr, Lurë e Selishtë të Bashkisë Dibër, dhe vetëm rrugët e fshatrave të njësisë administrative Trebisht të  Bashkisë Bulqizë si dhe fshati Ketë të njësisë Xibër dhe Mali i Lezit në njësinë administrative Gurrë të Bashkisë Klos” u shpreh Shehu.