Dibra ishte dhe mbetet vatër e arsimit shqiptar

623

Historikisht qyteti i Dibrës i ka dhënë shumë arsimit shqiptar. Në të kaluarën, edhe pse Dibra ka qenë nën shume okupime, iluministët dibrane kanë themeluar shkollën e parë qysh në kohën e Perandorisë osmane. Në mënyra të ndryshme patriotët dibranë vazhduan shkollimin në gjuhën amtare të popullatës edhe në sistemet që vijuan pas. Dikur, por edhe sot, familjet dibrane në pjesën më të madhe të tyre kanë shkolluar fëmijët e tyre dhe Dibra gjithmonë ka qenë një vatër e shkollimit.

Sot të dhënat zyrtare thonë se mbi 90 për qind të maturantëve vazhdojnë shkollimin superior. Por, kjo nuk është e rastësishme meqë pas Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare në Maqedoni arsimimin e popullatës e kanë bërë pikërisht arsimtarët dibranë. Viteve të 40 dhe 50-ta, por edhe më vonë në Pollog, Karadak, Shkup dhe pjesë të tjera ku jetojnë shqiptarët, shkollimin në gjuhën shqipe mes tjerëve e kanë bërë edhe afro 200 arsimtarë dibranë.

Punoi në katër sisteme të ndryshme

Një nga personalitete të cilët hyn në radhët të intelektualëve të cilët kontribuan për arsimin mbarëkombëtar është edhe Atli Bellçishta, i cili rrjedh nga një familje intelektuale dibrane, e cila ka kontribuar shumë për arsimin jo vetëm në Dibër, por edhe pjesë të tjera etnike shqiptare në Maqedoni. Në bisedën që patëm me profesorin e njohur dibran të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Atli Bellçishta, ai na rrëfeu angazhimin e tij, por edhe shokëve të tij për kontributin që ka dhënë në arsimimin e popullatës. “Pata mundësi të jetoj, por edhe të punoj në katër sisteme të ndryshme. Ishte shteti i Mbretërisë serbo – kroato – sllovene, koha e Italisë, pastaj shteti i Jugosllavisë dhe tani në shtetin e Maqedonisë.

Punova dhe mund të them se domethënia e arsimtarëve dibranë ka një ndikim të madh në shkollimin e popullatës shqiptare në trojet tona”, thekson Atli Bellçishta, i cili sot e jeton moshën e tretë. Ai shton se në kohën e Mbretërisë serbo kroate dhe sllovene, shqiptarët nuk kanë pasur të drejt të shkollohen në gjuhën e tyre amtare, por intelektualët dibranë janë shkolluar në trojet e tjera shqiptare dhe në mënyra të ndryshme kanë pasur në vete librin shqiptar. Gjatë kohës së Italisë ashtu siç ishte u mundësua hapja e shkollave shqipe jo vetëm në Dibër, por edhe në Zhupë dhe Rekë.

Atë kohë nga shkolla e Elbasanit, por edhe nga shkollat e tjera të Shqipërisë erdhën një numër i konsiderueshëm i arsimtarëve shqiptarë dhe u hapën shkollat shqipe. Bellçishta thotë se pas Luftës së Dytë Botërore inteligjenca dibrane pati mundësi të vazhdojë shkollimin, sidomos në shkollat normale së pari në Tetovë e pastaj edhe në Shkup. Atliu thekson se në gjeneratën e parë të normales kanë qenë pesë dibranë, mes të cilëve edhe vëllai i tij tani më i ndjerë, profesori i mirënjohur dibran, Nehat Bellçishta, i cili ka qenë edhe profesori i parë dibran që ka përfunduar shkollimin superior për albanologji në Beograd. “Unë i takoj gjeneratës së katërt të dibranëve që u shkolluan në shkollën normale. Me plot dashuri përfunduam shkollimin e më vonë përfundova edhe Fakultetin të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Prishtinë”, thotë Atliu dhe shton se atë kohë ka dhënë një kontribut të madh rreth shkollimit të nxënësve së pari nëpër vendbanimet fshatare të Dibrës, por edhe nëpër fshatrat e rajonit.

Interesimi për t’u bërë arsimtar atë kohë mes dibranëve ka qenë i madh. Ata që përfunduan normalen, filluan të japin mësim në të gjitha trojet shqiptare në Maqedoni, thotë Bellçishta dhe shton se ata kanë dhënë një kontribut shumë të madh në arsimimin e popullatës mbar vendit. Viteve të para të pas luftës ka pasur shumë probleme me sigurimin e teksteve shkollore, thotë ai dhe shton se me kohë edhe ky problem është tejkaluar. Viteve të 60-ta bashkëbiseduesi ynë edhe pse ka pasur shumë peripeci politike nga sistemi i atëhershëm, me shkollimin e tij të lartë ka mundur që të bëhet edhe drejtor i shkollës tetëvjeçare. Atë kohë, siç thotë ai, të gjithë arsimtarët që nuk kishin kryer shkollën e lartë pedagogjike patën mundësi atë ta përfundojnë.

Intelektualët dibranë prezent në zfera të ndryshme

Edhe themelimi i gjimnazit të Dibrës është i lidhur me angazhimin e intelektualëve të familjes Bellçishta. Atliu kujton kohën kur vëllai i tij, Nehati, së bashku me disa profesorë të asaj kohe themeluan shkollën e mesme. Atliu kujton atë kohë dhe shton se janë bërë angazhime të mëdha që Dibra të ketë shkollën e mesme në gjuhën shqipe. “Sistemi komunist i asaj kohe kërkoi që paralelisht të hapet edhe një paralele në gjuhën maqedonase, si kusht për fillimin e punës së gjimnazit.

Inteligjenca dibrane, edhe këtë problem e tejkaloi duke u marrë vesh me disa nxënës shqiptar që të kompletojnë një paralele në gjuhën maqedonase dhe pas këtij hapi, sistemi nuk kishte fuqi se si ta ndalë themelimin e gjimnazit. Atli Bellçishta, pas diferencimeve që u bënë gjatë punës së tij në tetëvjeçare me përkrahje të disa shokëve të tij kalon në gjimnazin e Dibrës nga ku edhe pensionohet. Atje jep kontributin maksimal, meqë gjimnazi i Dibrës ka qenë shtylla kryesore për shkollimin e mesëm të nxënësve shqiptar jo vetëm nga Dibra, por edhe nga Struga, Prilepi, Velesi dhe qytet të tjera ku kishte shqiptar, por ku nuk funksiononin shkollat e mesme në gjuhën shqipe.

Dibranët në të kaluarën edhe sot kanë qenë dhe janë arsimdashës. Një numër i madh i intelektualëve dhanë një kontribut të pazëvendësueshëm në sferën e arsimit. Ata pastaj vazhduan dhe u bën profesor universitar, siç janë të ndjerët Muhamed Paçuku, Mahmud Hysa etj. Sot mburremi që kemi edhe universitet në gjuhën shqipe thotë Bellçishta dhe thekson se pa marrë parasysh situatës materiale të familjeve dibrane nuk ka familje që nuk dërgon fëmijët nëpër fakultete. Intelektualët dibranë gjithmonë kanë qenë dhe janë prezent në sfera të ndryshme të jetës. Por, sipas tij, plaga që vazhdon të jetë prezent në kontinuitet është migrimi. Edhe Atli Bellçishta dy djemtë e tij të shkolluar i ka në SHBA. Edhe ata janë me diploma universitare, por për shkak të papunësisë, por edhe situatës së përgjithshme, kanë marrë rrugën të mërgimit, ashtu siç e kanë marrë rrugën dhe pjesa më e madhe të rinjve dibran.

Atliu sot së bashku me bashkëshorten e tij Shkëndijen jeton në Dibër, në mënyrë sezonale. Gjashtë muajt e verës i kalon në vendlindje, kurse gjashtë muajt e tjerë te fëmijët e tij, Valdeti dhe Visari në SHBA. Ai mburret dhe është krenar me faktin se dibranët kanë dhënë dhe japin shumë në sferën e arsimit, por është i pakënaqur nga dukuria e migrimit masiv, sidomos nga ana e të rinjve jashtë vendlindjes.

/dibraime.com/