Dibër, ujërat e liqenit ndoten me hidrokarbure

1477
Ndotja në liqenin e Dibrës, RMV. Foto: Shoqata Sportive e Peshkatarëve "Trofta"

Pak ditë më parë, Shoqata Sportive e Peshkatarëve “Trofta” në Dibër, RMV, do të denonconte në kanalet e saj zyrtare në rrjetet sociale ndotjen që po i bëhej ujërave të liqenit në Dibër. Ndotja u konstatua përgjatë kanaleve që bëjnë derdhjen e ujërave të qytetit në liqen, por edhe përgjatë vijës liqenore, ku duken mbetjet e lëndës së derdhur.

Nga Shoqata Sportive e Peshkatarëve “Trofta” në Dibër, thuhet se kjo lëndë është mazut, që përdoret nga fabrika e prodhimit të gipsit “Knauf”, që ushtron aktivitetin e saj jo shumë larg nga liqeni. Dritan Bocku, kryetar i shoqatës, u shpreh në një prononcim për televizionin “Alsat-M” se rrjedhja e kësaj lënde sintetike, ka dëmtuar florën dhe faunën e liqenit.

“Ky problem nuk është vetëm këtë vit, por ka ndodhur edhe vitet e tjera në të njëjtën periudhë kohore, në muajin mars. Dyshojmë që kjo vjen nga një fabrikë që është aty afër, por gjithsesi këtë duhet ta përcaktojnë inspektorët përkatës”, u shpreh Bocku.

Bulqizaime.al ju drejtua edhe kompanisë “Knauf” në Shkup, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. Më parë në një deklaratë për televizionin “Alsat-M”, kompania as nuk mohoi dhe as nuk pranoi akuzat e mjedisorëve në Dibër, se mazuti ishte derdhur prej saj.

“Ne kemi punuar me mazut 21 vjet, por nuk kemi pasur asnjë incident të vetëm deri më tani dhe jemi të interesuar për ruajtjen e mjedisit. Nëse zbulohet se ‘Knauf’ është fajtor për këtë incident, ne do ti mbulojmë të gjitha shpenzimet e rimëkëmbjes së mjedisit. Por, edhe nëse ‘Knauf’ nuk shpallet fajtor, ne përsëri do të marrim pjesë në rivendosjen e gjendjes origjinale të mjedisit”, do deklaroi kompania “Knauf”.

Ndotja e ujërave të liqenit të Dibrës, RMV. Foto: Shoqata Sportive e Peshkatarëve “Trofta”

Mazuti është një lëng i trashë, me ngjyrë të errët, që nxirret nga kullimi i naftës dhe përdoret kryesisht si lëndë djegëse.

Institucionet mjedisore në Maqedoninë e Veriut bëjnë me dije se janë duke hetuar për rastin në fjalë dhe se po punojmë për të zbuluar vendin nga ku është derdhur mazuti.

I pyetur nga Bulqizaime.al, Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës në Maqedoninë e veriut u shpreh se çështja po hetohet nga Inspektoratit Shtetëror për Mbrojtjen e Ambientit dhe nga Prokuroria. “Ende nuk kemi rezultate nga ky investigim. Unë si kryetar kërkoj që rasti të zbardhet sa më shpejt dhe ndaj fajtorit të merren të gjithë masat ligjore”, u shpreh Duka.

Liqeni i Dibrës është një liqen artificial dhe ka një sipërfaqe prej 13.2 km² dhe është ndër liqenet më të mëdha në Maqedoninë e Veriut. Liqeni artificial u krijua për prodhimin e energjisë elektrike midis viteve 1966 dhe 1968. Diga e këtij liqeni është vetëm pak kilometra larg nga fshatrat e Bulqizës.

Ndotja e këtij liqeni ka ndikim direkt në ujërat e Drinit të Zi, që vazhdon rrjedhën përgjatë Shqipërisë.