Shanset e PS për fitore (Infografik)

Partia Socialiste fitoi 74 mandate në zgjedhjet e vitit 2017. Ky infografik për ndryshimet e ndodhura në krahasim me vitin 2013 tregon se në cilat zona pritet të luftohet më ashpër në zgjedhjet e 25 prillit. Ky shkrim është pjesë e një serie analizash statistikore për zgjedhjet parlamentare.

650

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vitit 2017 duke arritur të ruajë rezultatet zgjedhore në numër votash në krahasim me vitin 2013, ndërkohë që Partia Demokratike në opozitë pësoi tkurrje të ndjeshme të votave në zgjedhje të karakterizuara nga një pjesëmarrje e ulët.

Socialistët fituan 74 mandate deputetësh më 2017 ose 9 mandate më shumë se sa më 2013. Maxhoranca e saj qeverisëse u zgjerua pas zgjedhjeve me mandate deputetësh të fituara nga PDIU në Elbasan dhe në Dibër, ndërsa deputeti Tom Doshi, i zgjedhur si përfaqësues i Partisë Social Demokrate, ka votuar përgjithësisht në favor të socialistëve në parlament dhe u pa nën shoqërinë e Edi Ramës në Shkodër gjatë zgjedhjeve të vitit 2019.

Në krahasim me vitin 2013, socialistët fituan dy mandate shtesë në qarqet Tiranë, Durrës e Vlorë ndërsa fituan nga një mandat shtesë në Elbasan, Fier dhe Lezhë. Rezultati i socialistëve në mandate mbeti i pandryshuar në qarqet Shkodër, Berat, Korçë, Dibër, Gjirokastër dhe Kukës.

Aleati që i mundësoi zgjerimin e shumicës parlamentare pas zgjedhjeve, disa politikanë lokalë që më 2013 garuan në emër të PDIU-së, mori dy mandate në Elbasan dhe një në Dibër. Kjo duket se ka rëndësi edhe në zgjedhjet e 25 prillit, për shkak se faktori “çam” në Elbasan i përfaqësuar nga ish-deputeti Aqif Rakipi, i cili humbi mandatin e deputetit më 2018 për shkak të problemeve të shkuara me drejtësinë, duket se është pranë socialistëve sot me ish-kryetarin e Bashkisë së Peqinit Saimir Hasalla, i cili kaloi te PS së fundmi dhe djalin e Aqif Rakipit që garon për socialistët në Tiranë.

Socialistët duket se i kanë përqendruar forcat në Tiranë, Durrës e Elbasan, qarqet që i dhanë avantazhin kryesor në zgjedhjet e vitit 2017, me një listë të ngjeshur kandidatësh meshkuj në meset e listave të këtyre tre qarqeve. Vetë Rama është investuar duke garuar në pozicione kyçe në Durrës dhe në Vlorë, dukshëm në përpjekje për të mbrojtur rezultatin në këto qarqe.

Në Elbasan, ku Socialistët morën 7 mandate më 2017 dhe eksponentët e PDIU morën 2 mandate me deputetët Aqif Rakipi dhe Bujar Muça, socialistët duket se po përpiqen të mbrojnë rezultatin duke kandiduar Luan Duzhën, ish-deputet i LSI dhe Taulant Ballën, kryetarin e grupit të vet parlamentar në pozicionet 7 dhe 8 të listës. Saimir Hasalla i ish-PDIU garon në vend të pestë. Strategjia e PS në këtë qark mbështetet dukshëm në rekrutimin nga partitë e njohura si makineri elektorale pa skrupuj moralë dhe që zakonisht nuk lodhen duke bindur votuesit me programe. Rezultati i përgjithshëm i qarkut Elbasan në vitin 2017 ishte 7 mandate për PS-në, 3 për PD-në, 2 për LSI-në dhe 2 për PDIU-në ndërsa objektivi i socialistëve duket se është ruajtja e këtyre mandateve dhe ndoshta përvetësimi i ndonjë prej mandateve të LSI dhe PDIU.

Një situatë e ngjashme duket se zhvillohet edhe në Durrës. Partia Socialiste fitoi tetë mandate në vitin 2017, dy më shumë se sa në vitin 2013. Durrësi ishte një sukses elektoral që i kushtoi ca socialistëve më vonë, kur u mësua se një hetim pa lidhje i prokurorisë mbi një bandë të stërmadhe të trafikut të drogës, zbuloi lidhje të socialistëve dhe suksesit të tyre elektoral me bandat e trafikut të drogës. Kryetari i socialistëve të Durrësit në atë kohë, Vangjush Dako, u shpall person i padëshirueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “korrupsion madhor”, një medajle që Uashingtoni e ka rezervuar deri tani për disa zyrtarë të shtetit, kryesisht socialistë, si një mekanizëm presioni në thirrjet e tyre për shkëputjen e lidhjeve të politikës me krimin.

Në zgjedhjet e 25 prillit, socialistët duket se dëshirojnë të realizojnë të njëjtën fitore si më 2017 në Durrës, duke përdorur pak a shumë të njëjtat forca. Deputetit aktual Ilir Ndraxhi, emri i të cilit u zbulua nga përgjimet e dosjes famëkeqe 339 për trafikun e drogës në Shijak, gjendet në vend të sigurt në listën e Durrësit. Sipas përgjimeve të prokurorisë, Astrit Avdyli, aktualisht i dënuar për trafik droge, dëgjohet duke organizuar një takim politik me udhëheqësit e socialistëve të zonës së Shijakut ku tema e bisedës është kandidimi i Ndraxhit në listat e Partisë Socialiste. Ndraxhi u vendos i katërti në listën e PS-së në këtë qark në zgjedhjet e vitit 2017 ndërsa mban vendin e pestë në listën e vitit 2021.

Rama ka vendosur të mbajë në listën e Durrësit edhe deputetin Rrahman Rraja, një emër i njohur jo aq shumë për fjalimet në parlament se sa për telashet e familjarëve dhe nipërve të tij me drejtësinë. Rraja mban numrin gjashtë në listën e PS-së së Durrësit, gjë që e bën pothuajse të sigurt rizgjedhjen e tij. Partia Socialiste ka fituar tetë mandate në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjashtë në vitin 2013. Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit për Lëvizjen Socialiste për Integrim, është vendosur numri 7 në listën e këtij qarku, rezultati i të cilit është i rëndësishëm për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve në rang kombëtar.

Socialistët duket se kanë dëshirë të ruajnë tetë mandatet e 2017-ës në këtë qark ose duke ruajtur rezultatin e vet, ose duke shënjestruar një nga dy mandatet e LSI përmes ish-ministrit të LSI-së Lefter Koka.

Beteja më e madhe e socialistëve duket se do të zhvillohet në Tiranë, qarku ku në zgjedhjet e 25 prillit do të dalin 36 deputetë, dy më shumë se sa më 2017.

Rezultati i vitit 2017 ishte 18 mandate për socialistët dhe 17 mandate për dy grupimet opozitare, PD dhe LSI. Në rast se ky rezultat nuk ndryshon, të dyja grupimet do të marrin nga një mandate më shumë. Por pesë nga të 17 mandatet e opozitës në zgjedhjet e vitit 2017 i përkisnin Lëvizjes Socialiste për Integrim, një forcë politike që në atë kohë vinte nga tetë vite pushtet dhe që gjerësisht besohet se është dobësuar përgjatë katër viteve të qëndrimit në opozitë. Pyetja është nëse deputetët që mund të humbasë LSI do të rikthehen te PD- nga ku janë humbur në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009, apo do të merren nga PS. Pandeli Majko, një ish-kryeministër i viteve 2000, është lënë të garojë në numrin 19 në listën e Tiranës, pozicion nga praktikisht duhet të mbrojë rezultatin që socialistët kishin në vitin 2017. Plarent Ndreca, një ish-avokat i Erion Veliajt dhe funksionar socialist përgjatë tetë viteve të fundit në poste që zakonisht sipas ligjit supozohen se janë administratë civile jopartiake, do të garojë në vend të njëzetë.

Alqi Bllako, një zyrtar tjetër i administratës publike, i akuzuar nga LSI për përfitime të paligjshme nga projektet kontroverse të incineratorëve të plehrave, garon në vend të 17, një vend krahasimisht më i sigurt se sa ai i ministrit Eduart Shalsi, në vend të 18, apo i Majkos.

Votat e PDIU, e cila këto zgjedhje garon në listat e PD-së, mund të kenë peshë në zgjedhjet e 25 prillit në rast se këto vota vijojnë të jenë aq sa ishin më 2013. Socialistët fituan 18 mandate më 2013 pasi 3% e votave të marra në Qarkun Tiranë nga PDIU u “dogjën” për shkak se PDIU nuk arriti të kapë pragun e asaj kohe për vetëm 37 vota.

Socialistët duket se do të kenë punë të vështirë për të ruajtur rezultatin e vitit 2017 në Gjirokatër. Katër vjet më parë, në këtë qark zgjidheshin pesë deputetë, nga të cilët, PS mori tre me 50% të votave. Dy partitë e opozitës, PD dhe LSI, morën nga një mandat pasi të dyja bashkë morën rreth 1300 vota më pak se sa PS. Por tani që në Gjirokastër zgjidhen 4 deputetë, PS-së do t’i duhet të marrë jo më pak se 60% të votave, rast në të cilin lë PD-në dhe LSI-në të marrin mandatin e mbetur në varësi se cila prej tyre arrin të marrë ca vota më shumë se sa tjetra.