Shanset e PD+LSI për fitore (Infografik)

Dy partitë kryesore të opozitës, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, synojnë të fitojnë maxhorancën parlamentare dhe të qeverisin në koalicion pas 25 prillit. Ky infografik shpjegon se në çfarë gjendjeje janë këto dy parti në secilin qark dhe ku i kanë shanset të fitojnë mandatet e nevojshme për shumicë qeverisëse. Ky shkrim është pjesë e një serie analizash statistikore për zgjedhjet parlamentare.

874

Dy partitë kryesore të opozitës, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të garojnë më vete në zgjedhjet e 25 prillit por pavarësisht kësaj, kanë nënshkruar një marrëveshje politike duke i premtuar njëra-tjetrës qeverisje në koalicion në rast se fitojnë zgjedhjet. Të dyja partitë sëbashku qeverisë në koalicion mes viteve 2009 dhe 2013, kur kishin 72 deputetë ndërsa LSI ndryshoi krah politik më 2013 dhe ra në opozitë bashkë me PD më 2017.

Të dyja këto parti morën 62 deputetë në zgjedhjet e vitit 2017, gjë që do të thotë se të dyja do të duhet të fitojnë së paku nëntë mandate më shumë se katër vjet më parë për të arritur shumicën e thjeshtë parlamentare prej 71 deputetësh. Deputetët shtesë mund të dalin në shumë qarqe ku fitorja e thellë e socialistëve më 2017 ishte rezultat i garës së ndarë të partive opozitare mes PD, LSI dhe PDIU. Por katër vjet më pas, socialistët duket se po shpresojnë se dy partitë e vogla opozitare, LSI dhe PDIU, kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të votave për shkak se kanë katër vjet në opozitë.

Për më shumë, gara më vete që këto parti kanë zgjedhur të bëjnë për 25 prillin në disa qarqe të vendit mund të sjellë mandate të humbura, por nëse këto parti bashkëpunojnë duke “shkëmbyer” vota mes qarqeve të ndryshme, atëhere kanë shanset që të fitojnë mandate që përndryshe i kalojnë socialistëve. Në Dibër, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e ndoshta edhe në Korçë e Berat, ndarja e votave të opozitës mund t’i kushtojnë mandate ndërsa bashkëpunimi mund t’i japë mandate që më 2017 nuk i morën dot.

P.sh., në qarkun e Kukësit dalin tre mandate. Rezultati i vitit 2017 i dha demokratëve 2 mandate dhe PS-së, një mandat. Por demokratët e fituan qarkun me rezultatin e tyre më të ngushtë historik: ata morën 50% të votave, mjaftueshëm për të fituar dy mandate, por jo mjaftueshëm për të qenë të sigurt se ky rezultat do të ruhet edhe më 25 prill. Socialistët, të cilët morën 47% të votave më 2017, aktualisht kontrollojnë të treja bashkitë e qarkut dhe kanë objektiv për të përmbysur rezultatin më 25 prill. Por ndërkohë, në Kukës janë edhe votat e LSI, 7% në vitin 2017 (12% më 2013), të cilat, nëse qëndrojnë më vete prodhojnë zero deputet dhe i japin mundësi PS-së të fitojë mandatin e dytë. Por nëse këto vota i kalojnë PD-së, ose, PD i kalon vota mjaftueshëm LSI-së sa për një mandat të plotë, atëhere PD dhe LSI marrin dy mandate ndërsa PS mbetet me një mandat.

Kjo është një situatë në të cilën PD dhe LSI gjenden në shumë qarqe dhe në secilin prej tyre, një mandat është në lojë.

Në Gjirokastër, PS i ka shanset që, nëse fiton 60+ përqind të votave dhe LSI e PD garojnë më vete, fiton tre mandate ndërsa nëse LSI e PD garonin bashkë, PS-së do t’i duhej të fitonte 75%+ për të fituar tre mandate ndërsa qoftë edhe një votë më pak se sa 75%, do t’i hiqte mandatin e tretë. Sërish, së paku në rastin e Gjirokastrës, mandati i tretë i socialistëve është një objektiv i lartë duke marrë parasysh se kjo parti në zgjedhjet e shkuara ka marrë 50% të votave dhe se rritja e kërkuar në vota është e konsiderueshme.

Në Korçë, në zgjedhjet e vitit 2017, LSI mori 15% të votave, të cilat nuk ishin mjaftueshëm për të marrë dy mandate, por nuk ishin as shumë larg objektivit për dy mandate. Rrjedhimisht, nëse supozojmë që LSI nuk ka humbur vota në krahasim me vitin 2017 ose nëse supozojmë se votat e LSI i kthehen PD-së dhe nuk i shkojnë PS-së, rezultati i përgjithshëm në Korçë mund të përmbytet, nga 6 deputetë PS dhe 5 PD+LSI që ishte më 2017, në 5 me 6.

Këto dizavantazhe të imponuara mbi opozitën nga ndryshimet e njëanshme në kodin zgjedhor të ndërmarra nga maxhoranca socialiste e kryeministrit Edi Rama të shumëkritikuara nga Komisioni i Venecias, dukshëm nuk mjaftojnë. Me pak fjalë, në rast se ndryshimet kushtetuese nuk do të bëheshin, dhe PD e LSI do të garonin në koalicion të përbashkët parazgjedhor, sërish atyre do t’u duhet të fitonin rreth 100 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2017 për të mposhtur socialistët.

Rrjedhimisht, nëse do të ketë ndryshim zgjedhjesh, gjasat janë që ndryshimi do të duhet të vijë në disa nga qarqet e mëdha si Tiranë, Elbasan, Durrës apo Fier.

Në Tiranë, PD dhe LSI morën sëbashku 16 kandidatë ndërsa PS mori 18 mandate. Ky dallim u realizua pasi socialistët morën 48.2% të votave ndërsa PD+LSI+PDIU morën sëbashku 47.2% të votave. Diferenca numerike mes dy grupeve është gjithsej më pak se 4 mijë vota. Socialistët morën 200 mijë ndërsa PD+LSI+PDIU morën sëbashku 196 mijë. Fakti që PD dhe PDIU garojnë bashkë si dhe fakti që Tirana, si qark i madh, e ka më të vogël efektin e garimit të ndarë mes PD dhe LSI, bën që disa mijëra vota të humbura nga socialistët apo disa mijëra vota të fituara nga opozita t’i heqin një por ndoshta edhe dy mandate njërës palë për t’ia kaluar palës tjetër.

Në Elbasan situata është më e komplikuar sepse grupi i PDIU-së së Elbasanit që katër vjet më parë garuan më vete por në mirëkuptim me socialistët, tani gjendet në mbështetje të socialistëve.

PDIU ka pasur një prezencë në qark që para femonenit të deputetëve me precedentë penalë kështu që mund të supozohet se një pjesë e 29 mijë votave që PDIU mori më 2017 në këtë qark, mund t’i kalojnë PD-së këto zgjedhje. Por në Elbasan është edhe fakti që LSI fitoi më 2017 14.4% të votave, fare pak më shumë se sa nevojiten për dy mandate. Nëse LSI ka humbur, qoftë edhe një grusht me vota në këtë qark, ajo humbet mandatin e dytë, i cili, me gjasa, i kalon partisë më të madhe që janë Socialistët.

Në Durrës situata është e ngjashme por në këtë qark, rezultati i socialistëve më 2017, kur fitoi gati 50% të votave, duket se u mbështet shumë në elementë të dosjes 339. Aktorët e kësaj dosjeje vijojnë të jenë të pranishëm në listat e PS-së por efikasiteti i tyre në zgjedhje mbetet për t’u parë.

Në Fier, socialistët më 2017 arritën të fitonin 10 nga 16 mandate, ose 62% të mandateve me 57% të votave ndërsa të tre partitë opozitare, PD, LSI dhe PDIU morën sëbashku 38% të mandateve me 41% të votave, gjë që nuk e bën të largët mundësinë e marrjes së një mandati nga socialistët. Rrjedhimisht një mandat nuk është shumë larg për opozitën as në këtë qark.

Rregulli bazë për fitoren e një partie politike në opozitë zakonisht është shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhje. Pjesëmarrja këtë vit mbart akoma më shumë të panjohura se sa zgjedhjet e kaluara për shkak se rreth 800 mijë shqiptarë nuk kanë aktualisht kartë identiteti të vlefshme ndërsa ne nuk e dimë se çfarë ndryshimesh demografike mund të ketë pësuar vendi përgjatë katër viteve të fundit.