Kryemadhi: Miratimi i statusit të minatorit, në prioritetet tona

1359
Monika Kryemadhi gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet të LSI në qarkun Dibër. Foto: LSI

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ditën e premte bëri prezantimin e kandidatëve për deputet në qarkun e Dibrës.

Kryemadhi e nisi vizitën në qytetin e Peshkopisë, ku bëri dhe prezantimin e kandidatit për deputet në këtë zonë, z. Hajri Laçi, me profesion mjek stomatolog.

Ajo u ndal te problematikat që shqetësojnë qytetin e Peshkopisë dhe të gjithë qarkun e Dibrës. Për Kryemadhin, lista e kandidatëve të LSI-së në Dibër do të sjellë zhvillim për vendin.

“Është i domosdoshëm angazhimi i kësaj pjese intelektuale, e cila po zvogëlohet çdo ditë e më shumë në qarkun e Dibrës”, u shpreh Kryemadhi.

Sipas saj, problem shqetësues mbetet largimi i të rinjve, jo vetëm në Dibër, por në të gjithë Shqipërinë.

“Problemi nuk është që ti ngremë të gjithë qytetarët e Dibrës dhe ti sjellim në Tiranë, por ne duhet t’ua bëjmë jetesën sa më të mirë, sa më komode këtu”, tha ajo.

Në prezantimin e kandidatëve të LSI në qarkun Dibër, i pranishëm ishte edhe Përparim Spahiu, ish-deputet i LSI në këtë zonë. Në zgjedhjet e 25 prillit, Spahiu garon i pesti në listën e Tiranës.

Në fjalën mbajtur në selinë e LSI në Bulqizë, Kryemadhi deklaroi se në 5 prioritetet që kjo forcë politike do të ketë në muajt e parë të qeverisjes, është miratimi i statusit të minatorit.

“Propozimi që ne patëm dhe e propozuam në Parlament, edhe pse e patëm propozuar që në mandatin e parë të Përparim Spahiut, asnjëherë mazhoranca e asaj kohe, PS-ja nuk e mori parasysh. Ne e ribëmë si një iniciativë personale të zotit Spahiu për ta pasur në Parlament, por që u rrëzua nga PS-ja.” deklaroi Kryemadhi.

Në zgjedhjet e 25 prillit, LSI garon në qarkun Dibër me gjashtë kandidatura: Hajri Laçi, ndjekur nga Blendi Gurra në Bulqizë, Luljeta Skura në Mat. Lista ndiqet nga Merita Hoxha, Borbardha Kaci dhe Altin Koltraka.