Ladi, i fundmi i socialistëve

2086
Kryeministri Rama, gjatë prezantimit të Lavdrim Krashi, si kandidat për deputet në qarkun Dibër. Foto: PS

Nga Bujar Karoshi

– E urove Ladin – më tha një mik i përbashkët.
– Jo, akoma. Por do ta uroj shpejt. Sa të gjej fjalët e duhura.Dhe kam dy ditë që mendoj fjalët për Ladin, sepse dua më të mirën për të.

Në fillim dua të vë theksin se Ladi është në vendin e tij kur kandidon për deputet i Kuvendit të Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Socialiste. Sepse Ladi është i riu i ditëve të vështira të FRESSH ’92, bashkëthemelues me Pandeli Majkon, Ilir Metën etj. Por, ndërsa Majko e Meta e shijuan Shqipërinë me gjithë të mirat, herë në opozitë e herë në pushtet, pa bërë një punë në jetën e tyre, Ladi e ndërtoi të ardhmen e tij në një vend të huaj përmes punës, këmbënguljes, ndershmërisë dhe sakrificave…

Tetë vite më parë e kam takuar për herë të fundit Ladin, kur në Dibër Partia Socialiste kishte vënë në krye të listës Shkëlqim Canin. Kishte ardhur nga Londra që ta mbështeste. Nuk e di nëse ai mblodhi ndonjë votë për Canin, por fakti që kishte fluturuar prej andej, tregonte se ai kishte gjithë dëshirën, gëzimin dhe entuziazmin se kandidatura e Canit ishte më e gjetura për Dibrën dhe mbështetja nuk duhej të mungonte. Si Ladi mendova edhe unë atëherë dhe shumë banorë të Dibrës e Matit, por shumë shpejt Shkëlqim Canit iu hoq mundësia të jetë deputet i Dibrës – gjasme se do të drejtojë një punë më të rëndësishme, financat e Shqipërisë, dhe akoma pa u mbyllur mandati i parë, e pamë mikun e Ladit jashtë qeverisë… Mënyra se si Rama e shkarkoi Canin, Ladi nuk duhet ta harrojë…

Kur Ladi të takojë, së pari, strukturat e PS dhe pastaj të ndezë motorët e fushatës, besoj se do të marrë zhgënjimin e parë. Sepse, Lad, Partia Socialiste në Dibër nuk është ajo e idealeve të tua (dhe tonat). Ajo është përtej së “majtës” e të “djathtës”, dhe mos u çudit kur liderët lokalë të PS-së atje ta kenë kryer stazhin si militantë të ndonjë partie tjetër në rininë tënde, dhe mos u çudit as kur ndonjëri prej tyre të ketë përdorur kërcënimin apo drurin kundër ndonjë socialisti… Mos u çudit kur socialistët e ndershëm t’i gjesh të larguar, demoralizuar, të fyer e të lënë mënjanë; sepse ata që do të të qëndrojnë pranë e kanë kryer më së miri këtë detyrë…

Socialistët që do të gjesh në Dibër, Lad, ata që do të takosh të parët e që do të të mbajnë krahët, do t’i dallosh menjëherë, se nuk janë ata të idealeve të tua: sepse do t’i dallosh nga këpucët me majë, pantollonat deri te kërci i këmbës apo kollarja lejla… (edhe maska me trëndafil). Kur t’i pyesësh se çfarë pune kanë kryer a çfarë shkolle kanë mbaruar, do të të thonë, se kanë qenë veç drejtorë… Dhe do të betohen e përbetohen, Lad, se ata kanë 50 vota këtu, 100 vota atje e qindra të tjera diku, të djathtësh, sigurisht, sepse votat e socialistëve ka kohë që nuk i ka kush në defterë..

Duhet ta dish se të deleguarit e PS-së në Dibër, ata që kanë sjellë frymën dhe mesazhin e liderit nga qendra, nga Manja, Nikolla, Gjiknuri, Beqja e Xhaçka kanë një kontribut të rëndësishëm në këtë proces. Ata kanë thirrur policinë që t’i mbajë larg socialistët nga mbledhjet e forumet e partisë… Dhe arritja më e madhe e tyre është se e kanë futur Dibrën në hartën e vjedhjes së votës…

Pushteti socialist nuk i ka pyetur dibranët, as socialistët dibranë, këto 8 vjet. Piramida e pushtetit është kujdesur për fisin e farefisin, për kunatin e mikun, për besnikun e të fortin, por nuk ka pyetur kurrë për popullin.

Dhe këtë do ta mësosh, Lad, kur të shkosh në katundin tënd! Duhet ta dish se 25 kryefamiljarë, bashkëfshatarë të tutë, u janë bllokuar pasaportat, janë në ndjekje penale dhe nuk kalojnë dot kufirin. Jo të shkojnë te djemtë dhe vajzat jashtë shtetit dhe të kalojnë pleqërinë, por nuk shkojnë dot as deri në Dibër të Madhe. Sepse ata kundërshtuan një hec të fundit mbi lumin Seta. Të atij lumi që, po të ishte mbajur siç ishte, tani mund t’u premtoje një zhvillim e investim për turizmin. Sepse, që ta dish, Lad, ka pasur propozime që aty të bëhej një hec me digë dhe krijohej një liqen që shkonte deri në Lurë dhe kthehej zona në një Zvicër në miniaturë, por biznesmenë përtej të djathtës e së majtës e më shumë në gjirin e së majtës, e kanë futur Setën nën tokë… Çfarë do t’u thuash Lad bashkëfshatarëve të tu?

Po banorëve të mbi 23 fshatrave të Dibër, afro 10 mijë prej tyre (gati një mandat deputeti) çfarë do t’u thuash për Skavicën? Qeveria vazhdon me planet për ndërtimin e saj, por çfarë do t’u thuash atyre kur qeveria, edhe pas protestave, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i informuar, sqaruar, e pse, jo, edhe pyetur nëse duan apo nuk duan t’ia falin tokën, pasurinë, jetën Atdheut? Duhet ta dish, Lad, se dy prej bashkëfshatarëve të tu mbajnë në kurriz një gjobë nga 50 milionë lekë, sepse pushteti e ka më të lehtë t’i ndëshkojë e kërcënojë shtetasit e vet, se sa t’i ndihmojë e t’i sqarojë…

Çfarë do t’u thuash, Lad, kur të të thonë se brenda 6 vitesh po shkojnë katër herë në zgjedhje lokale, por ndërkohë nuk bënë dot një referendum për t’i pyetur nëse duan apo jo t’i falin tokat e tyre për Skavicën?

Me siguri do t’u flasësh për rrugën e Arbrit si një premtim të mbajtur, por pas 8 vitesh në pushtet, edhe kjo nuk i ka më efektet elektorale. Sepse rruga, duket se po bëhet më shumë për shkak të interesave të PPP-ve sesa për interesat e banorëve të Dibrës. I mbyturi, Lad, nuk shikon dot rrugën, por përpiqet të shpëtojë duke u kapur pas fijes së barit…

Dhe në fund, Lad,

Bashkë më shokët e tu të ekipit “fitues”, vetëm ti je socialist. Të tjerët ose kanë ikur e janë rikthyer, ose vijnë nga radhët e PD-së e partive të tjera. Dhe kështu që do ta kesh të vështirë betejën përpara. Sepse sot, nuk ka më ideale dhe platforma: por veç prapaskena, konjuktura për vota. Dhe këto prapaskena mund të të nxjerrin edhe të fundit në listë. Sepse, mua më duket se Partia të ka thirrur edhe njëherë në skenë si në ’91-shin, si një lëvizje për të përmirësuar imazhin e rënë përtokë. Uroj të mos jetë kështu. Uroj që, kur të dalësh nga kjo betejë pas 25 prillit, të jesh një përfaqësues i denjë i Dibrës në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe kur të vijë dita të dalësh nga politika, ta bësh ikjen me dinjitet dhe krenari!

***Lavdrim Krashi, kandidat për deputet në listat e Partisë Socialiste në qarkun Dibër.