Negociata pa garë për Skavicën me kompaninë e cilësuar si të korruptuar nga socialistët

Qeveria shqiptare ka ndër mend të kryejë negociata pa garë me kompaninë amerikane Bechtel për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës pavarësisht se kjo metodë ligjore është kritikuar nga BE si në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit si dhe të faktit që 15 vjet më parë, Bechtel ishte shënjestra e akuzave të socialistëve për korrupsion.

970
Projekti i HEC Skavicës.

Qeveria shqiptare ka në plan të anashkalojë kuadrin ekzistues të prokurimeve publike për të miratuar një ligj të veçantë, i cili do t’i japë asaj të drejtë të negociojë një kontratë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës nga kompania Bechtel, pa garë. Qeveria ka propozuar sakaq një projektligj të quajtur “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, INC,”, për projekrimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”. Projektligji është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe është firmosur në mungesë të kryeministrit Edi Rama, nga zëvendëskryeministri Erion Braçe. [Link]

Qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama ka tentuar disa herë pa sukses në të shkuarën të anashkalojë ligjin e prokurimit publik apo atë për partneritetin publik-privat me qëllim që të paracaktojë një fitues të një projekti pa garë. Në së paku një rast, koncesioni për ndërtimin e kullave në tokën e Teatrit Kombëtar, një instrument i tillë u konsiderua në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Bechtel është gjithashtu një nga dy kompanitë e konsorciumit që ndërtuan autostradën Rrëshen-Kalimash pasi fituan një garë të debatueshme dhe të shumëkritikuar nga Partia Socialiste në vitin 2006. Një nga kritikët më të mëdhenj të kontratës ishte Erion Braçe, sot zëvendëskryeministri që firmosi projektligjin për kontratën e re me Bechtel. Për shembull, në vitin 2009, Braçe deklaronte: “Rruga Rrëshen-Kalimash, krim i personalizuar i Berishës me Olldashin. Prokuroria të veprojë!”

Socialistët nuk iu ndanë kritikave ndaj kompanisë Bechtel edhe pasi erdhën në pushtet. Psh, Taulant Balla, në vitin 2014, deklaroi: “Unë mendoj se duhet rihetuar dhe duhet gjykuar abuzimi marramendës financiar në rrugën Rrëshen-Kalimash. Mediat botërore edhe sot shkruaj për rastin e kompanisë “Bechtel Enka”  Rumani, Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë. Kanë nisur, ndërkohë hetimet në disa nga këto vende. Kjo rrugë i kushtoi qytetarëve shqiptar, jo për shkak të rëndësisë që kishte rruga, se ato do ta bëjnë dhe çdo gjë rri, për shkak të përfshirjes së Lulit i cili na kushtoi 243 milionë euro.”

Hidrocentrali i Skavicës mbi Lumin Drin u konceptua fillimisht në vitet 1970 si një digë që do të shërbente si rezervuar për ujin e Drinit të Zi, i ndërtuar në zonën malore mes Peshkopisë dhe Kukësit. Qeveria socialiste dha në vitet 2000 një koncesion tjetër për një kompani të vockël italiane, koncesion që nuk shkoi asgjëkundi. Qeveria demokrate hapi një ankand që dështoi të tërheqë ofertues në vitin 2009. Në vitin 2016, kryeministri Edi Rama akordoi një bonus kontrovers për një kompani turke për Skavicën, duke e riemëruar atë si Hidrocentrali Katundi i Ri. Pranimi i ofertave të pakërkuara për një hidrocentral si Skavica u kritikua në atë kohë si paracaktim fituesi për një nga projektet më të mëdha hidroenergjetike të mbetura për t’u realizuar në Shqipëri.

Projektligji i ri paracakton gjithashtu ndërtuesin e hidrocentralit pa garë.