Bulqizë, plagoset minatori pas një aksidenti në galeritë e Albchrome

2787
Foto ilustruese në galeri kromi në Minierën e Bulqizës. Foto: Albchrome

Një minator u plagos në galeritë e menaxhuara nga Albchrome në Minierën e Bulqizës. Policia e Dibrës njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.40 “se gjatë punës është aksidentuar dhe për pasojë ka mbetur i lënduar shtetasi A. Gj”. Burime nga spitali i Bulqizës bëjnë me dije se i plagosuri kishte dëmtime në këmbë, fraktura të thyerjes se kockave dhe është dërguar drejt spitalit të Traumës, Tiranë për ndihmë më të specializuar dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e identifikoi minatorin si Agron Gjeta, dhe tha se ai ishte aksidentuar gjatë punës në sektorin e transportit të brendshëm. “Kërkojmë hetim serioz të aksidentit dhe kushteve të sigurisë teknike. Ky aksident i ndodhur në minierën e Albchrome, nuk është rast i rrallë, as i veçuar. Pavarësisht propagandës për “investime të jashtëzakonshme”, Albchrome është shndërruar nga minierë kromi në minierë aksidentesh.” thuhet në njoftimin e sindikatës.

Galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës. E pyetur nga mediat, kompania tha se minatori ishte plagosur për shkak të pakujdesisë. “Në turnin e parë të punës në nivelin e 17-të të minierës të administruar nga AlbChrome në Bulqizë, gjatë procesit të levizjes së vagoneve, për shkak të pakujdesisë së punonjësit A. Gj, 51 vjeç, me profesion manovrues vagonash (ndihmës elektrovozist), ky i fundit pësoi një lëndim të lehtë.” thuhet në reagimin e Albchrome.

Kompania Albchrome the se minatori i lënduar ka frakturë të lehtë të pjesës së sipërme të këmbës së djathtë.

Ndërkohë SMBB deklaron se investimet e Albchrome për të rritur prodhimin e kromit, nuk kanë shkuar në linjë me rritjen e sigurisë së minatorët. “Përkundrazi, rritja e prodhimit është rrezik i shtuar për punëtorët dhe koha po e tregon.” thuhet në deklaratën e SMBB.

Vetëm pak muaj më parë në galeritë e kromit në Selishtë të Dibrës, humbën jetën 2 minatorë dhe një inxhinier minierash, teksa ishin duke punuar. Ndërsa në 24 shkurt 2021 humbi jetën një tjetër minator në Bulqizë, teksa punonte në një galeri në zonën mineral mbajtëse D në Bulqizë.

Përgjatë muajit janar 2021 ndodhën 3 aksidente në minierën e kontrolluar nga Albchrome në Bulqizë.

Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM.

Qarku i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektoriati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentuan në vendin e punës në këtë qark. Pesë prej viktimave ishin minatorë.