Elton Debreshi, zyrtarizon kandidaturën për deputet në qarkun Dibër

1048
Elton Debreshi gjatë dorëzimit të firmave në KQZ. Foto: SMBB

Elton Debreshi, njëkohësisht Kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka njoftuar regjistrimin si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit.

Ai do të kandidojë në qarkun e Dibrës. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë dorëzuar 1350 firma dhe dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e kandidaturës.

“Sapo depozituam firmat e kandidaturës së pavarur për minatorët, për problematikat e minatorëve dhe zonës së Dibrës. Ne jemi djemtë e asaj zone. Më mirë sesa e dimë ne situatën sesi është në Dibër, nuk e di askush nga këta politikanët që rrinë këtej nëpër zyra e resorte.” tha Debreshi për mediat.

Brezi i tretë i minatorit në familje, ai ka thënë se ka 30 vite që statusi i minatorit përdoret në çdo fushatë elektorale, por sapo vijnë në pushtet, partitë nuk interesohen më.

Më 21 dhjetor 2020 Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, dorëzoi në Kuvend peticionin me 10 mijë e 700 firma për miratimin e Statusit të Minatorit.

Qarku i Dibrës ka në total 5 mandate dhe në zgjedhjet e fundit kanë marrë pjesë 73 mijë votues.