SMBB përfundon mbledhjen e firmave për kandidimin e Elton Debreshit

1026
Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës duke folur në themelimin e saj. Foto: Sami Curri/BIRN

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka përfunduar mbledhjen e firmave të nevojshme për kandidimin për deputet të Elton Debreshit, në zgjedhjet për Kuvend që do të mbahen më 25 prill. Njoftimi për mbledhjen e firmave të nevojshme nga qytetarët u bë në faqen zyrtare të sindikatës në rrjetin social Facebook. “Ju njoftojmë se pas katër javësh pune intensive është tejkaluar numri i nevojshëm i firmave për të zyrtarizuar kandidimin e pavarur të Elton Debreshit në zgjedhjet e 25 prillit.” Thuhej në njoftimin e SMBB-së.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, 9 qytetarë të një zone zgjedhore mund të propozojnë një kandidat në KQZ, nëse grumbullojnë nënshkrime nga qytetarë të asaj zone në mbështetje të kandidaturës. Ky numër nënshkrimesh varion nga 1% e numrit total të zgjedhësve (votuesve) të një zone zgjedhore. Propozimi i Elton Debreshit ka arritur të mbledh afro 1500 nënshkrime të qytetarëve në qarkun Dibër.

Për SMBB-n mbështetja e një minatori si kandidat i pavarur për deputet është një risi në vend. “Gjatë këtyre javëve jemi takuar me mijëra bashkëqytetarë, besimi dhe mbështetja e të cilëve na ka mbushur me shpresë. Ata nuk na kanë dhënë vetëm një firmë, por janë zotuar që së bashku ta çojmë deri në fund përpjekjen për miratimin e Statusit të Minatorit dhe vendosjen e Dibrës në qendër të vëmendjes shtetërore.” Thuhet në deklaratën e SMBB.

Më 11 shkurt 2021 kërkesa e komitetit nismëtar, prej 9 anëtarësh të cilët kërkonin kandidimin e Elton Debreshit për deputet të pavarur, u miratua prej KQZ-së. Në ditët në vijim do të depozitohen firmat e qytetarëve dhe dokumentet e tjera për të zyrtarizuar kandidimin e një minatori për deputet, për herë të parë në historinë e Shqipërisë.