Maqedonia e V. do të blejë 100 mijë vaksina ruse Sputnik V

470
Foto ilustrative nga Reuters

Maqedonia e Veriut ka vendosur që të furnizohet me 100 mijë vaksina ruse kundër koronavirusit, pas vendimit të mëhershëm për blerjen e 200 mijë vaksinave kineze.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka njoftuar se u ka dhënë institucioneve udhëzimet për kontraktimin e marrëveshjes së furnizimit me vaksina “Sputnik V”.

“Të shtunën mora informacion nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce se ne kemi kapacitet, në përputhje me marrëveshjet e përfunduara dhe ato të paguara, të porosisim 100,000 doza të vaksinave tjera që do të plotësonin planin e përgjithshëm, dhe nuk do të shkaktojnë vaksina të tepërta…Unë kam dhënë udhëzimet për furnizim me 100 mijë vaksina ruse. Gjithçka që ka të bëjë me vaksinat, ne kemi bërë punën tonë, porositë, kontratat…”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 17 shkurt, me dërgesën e parë të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer si donacion nga Serbia.

Pjesa tjetër e tërë dërgesës prej 8,000 dozave nga Serbia pritet arrijë në Shkup javën e ardhshme. Kryeministri Zaev tha se deri në fund të këtij muaji qeveria pret përgjigje nga “Pfizer” për 800,000 dozat për të cilat janë zhvilluar bisedime me kompaninë amerikane.

Ndërkohë, 200,000 doza të vaksinave kineze pritet të mbërrijnë në fillim të muajit mars në këtë shtet.

Të parët që janë vaksinuar janë punonjësit shëndetësorë të Klinikës Infektive në Shkup, ndërsa më pas do të vaksinohen edhe klinikat tjera.

Qeveria ka hartuar një plan të përgjithshëm, i cili parasheh që pas mjekëve të vaksinohen personat e moshuar, atë me sëmundje kronike, punonjësit e institucioneve arsimore dhe të kopshteve, ndërsa më pas edhe pjesa tjetër e popullatës. Qeveria synon vaksinimin e së paku 500 mijë personave për të arritur imunizimin e popullatës.

Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar 16 viktima të reja me koronavirus, 254 të infektuar si dhe 151 të shëruar. Të dhënat bazohen në testimin e 2,160 mostrave.

Me COVID-19 janë të diagnostikuar më shumë se 99 mijë persona prej shpërthimit të pandemisë.

Prej tyre 3,063 persona kanë humbur jetën, rreth 90 mijë janë shëruar ndërsa mbi 6,700 raste janë ende aktive.