Menaxhimi i situatës nga reshjet e dëborës, përplas aktorët politikë në Dibër

929
Foto ilustrative nga Bulqizaime.al

Menaxhimi i situatës së krijuar nga reshjet e dëborës në qarkun Dibër, ka sjellë përplasje në distancë mes përfaqësuesve politikë.

I pari që akuzoi qeverinë dhe pushtetin vendorë se ka dështuar në menaxhimin e situatës ishte Xhelal Mziun, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Dibër. Ky i fundit akuzonte drejtuesit e bashkive se nuk janë në terren, por në kryeqytet. “Kur shumica e fshatrave janë të bllokuar. Ku mijëra familje janë pa rrugë, pa energji dhe pa bukë. Kur në fshatrat më të afërta nuk shkon fadroma dhe banorët mundohen të hapin rrugët me lopata. Kur mashtrohet se rrugët janë hapur dhe njerëzit humbin jetën pa mundur të marrin shërbimin mjekësor.” shkruan Mziu në profilin e tij në Facebook.

Por nuk do të zgjaste shumë dhe mes palëve do të niste një lum akuzash e ofendimesh, që nga “kriminel”, “hajdut” “të paudhë” e shumë epitete të tjera fyese.

Në linjë qëndrimesh ishin kryetarët e bashkive Mat e Dibër, të cilët i konsideruan si të pavërteta ato çka deklaronte Mziu. “Në Mat është punuar mbrëmë deri natën vonë dhe sot që në orët e para të ditës mjetet e bashkisë kanë qenë në krye të detyrës. Fshatrat që ti përmend kanë mbështetjen e bashkisë jo me fjalë, por me punë konkrete në terren.” shkruan Agron Malaj, kryetari i bashkisë Mat.

Për Dionis Imerajn, situata e krijuar nga reshjet e dëborës është menaxhuar me përgjegjshmëri prej bashkisë Dibër. “Në qark, dhe konkretisht në bashkinë Dibër po bëhet një punë kolosale, si asnjëherë më parë, nga Emergjencat Civile e të gjithë strukturat e nevojshme për aksesimin e çdo aksi rrugor, nga Kalaja e Dodës e deri në Maqellarë. Është fakt që kur qeverisnit Ju, në kohë dimri, Dibra dhe dibranët rrinin të izoluar e në mëshirë të fatit e motit për javë e javë të tëra!” shkruan Dionis Imeraj.

Nuk do të kalonte shumë kohë dhe nga “dritarja virtuale” e atyre që qeverisin dhe të atyre që duan të qeverisin, do të rinisnin sërish sulmet. Mziu ju kundërpërgjigj reagimeve të Malaj dhe Imeraj, duke i konsideruar “tufë hajdutësh të faktuar të dosjes 184, dhe një kriminel i 21 janarit”, të cilët drejtojnë bashkinë me korrespondencë nga Tirana.

“Ju i merrni informacionet dhe fotot nga njerëz që i paguani me taksat e popullit. Ju përdorni fotografi të fadromave në rrugët nacoinale sikur po pastroni rrugët e fshatrave, por mos harroni banorët i kanë sytë në ballë nuk mashtrohen më. Ju po mashtroni për t’ju parë “shefat” në rrjete sociale, sikur po punoni, në fakt ju po bëni sehir dhe po shijoni “bukurinë” e borës nga lokalet e Tiranës.” shkruan Mziu.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste në Dibër, Olta Xhaçka do të deklaronte se të gjitha strukturat shtetërore janë në krye të detyrës, në çdo njësi administrative të bashkive Dibër, Mat, Bulqizë e Klos për përballimin e vështirësive të krijuara nga moti. “Ekipet janë në terren në çdo orë të ditës e natës për të siguruar kalueshmërinë e çdo aksi në qark. Shërbim pa ndërprerje nga ekipet e OSHEE për furnizimin me energji elektrike të çdo familje.” shkruan Xhaçka, shoqëruar me disa foto të mjeteve borëpastruese në terren.