Dibër, rrugë të bllokuara e dhjetra fshatra të izoluara nga bora

Dëbora ka bllokuar dhjetra fshatra në zonën e Dibrës, ndërsa probleme janë krijuar edhe në lagje të Bulqizës duke bllokuar bizneset dhe lëvizjen në qytet.

806
Njësia Administrative Fushë-Bulqizë. Foto: Aishe Tufa / Bulqizaime.al

Temperaturat e ulëta, erë e fortë me reshje bore ka përfshirë Dibrën që prej mëngjesit të së shtunës. Kjo situatë ka krijuar probleme të shumta në fshatra, por edhe në qytete. Trashësia e borës në fshatra, shkon deri në 50 cm, ndërsa në Bulqizë dhe Dibër deri në 30 cm. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, reshjet nuk kanë sjellë probleme në qarkullim, por rekomandohet që në akset Qafë Bualli-Krastë dhe Ura e Çerenecit-Klenjë, kalimi të bëhet me zinxhirë.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu në një bisedë telefonike u shpreh se deri më tani rrugët nacionale janë të hapura. “Edhe rrugët rurale, përjashtuar ekstremet, siç është Lura që edhe në këto momente ka stuhi bore. Furnizimi me energji është i plotë me përjashtim të 5 fshatrave në Kala të Dodës dhe Lura.” u shpreh Shehu.

Ai deklaron se në qytete janë pastruar rrugët dhe është hedhur kripë. “Punën e bashkive për menaxhimin e kësaj situate e vlerësojë shumë mirë.” tha Shehu.

Por krejt e kundërta paraqitet situata në terren. Rrugët e brendshme në qytetin e Bulqizës, vazhdojnë të mbeten të pahapura nga bora. Situatë më e vështirë paraqitet në fshatra, që janë të izoluara. Flamur Jella, drejtues i Emergjencave Civile në Bashkinë e Bulqizës në një bisedë telefonike, u shpreh se fshatrat Tërnovë e madhe dhe e vogël janë të izoluara, pasi trashësia e borës shkon deri në 60 cm. “Rruga nacionale nga qafa e Buallit deri në Krastë është e hapur. Ndërsa nga qendra e Krastës e nëpër fshatra rruga është e bllokuar. Janë 4 firma private që kanë kontratë për hapjen e rrugëve, por janë edhe mjetet e bashkisë.” tha ai.

Myzafer Lazri, banor i lagjes së vjetër në Bulqizë, që ka një furrë buke tregon se sot nuk mundi të shpërndajë produktet, pasi rrugët e qytetit kanë qenë të bllokuara. “Këtu nuk ke as pushtet qendror dhe as lokal. Ka shku bora një metër nuk e ça kokën kush me nxjerrë fadromat me e hap e me hedh kripë” shprehet ai.

Në njoftimin e DVP Dibër për mediat, bëhet me dije se në territorin e bashkisë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Trebisht, Ostren dhe rrugët e fshatrave me qendrën administrative në Martanesh, Zerqan e Shupenzë.

Në territorin e bashkisë Dibër, të bllokuara rrugët që të çojnë në njësitë administrative Selishtë, Lurë, Reç dhe rrugët e fshatrave që lidhen me njësitë administrative Zalldardhë, Kala e Dodës.

Situata paraqitet më ndryshe në Klos dhe Mat, ku e bllokuar është rruga për në njësinë administrative Xibër, dhe rrugët e fshatrave që lidhen me qendrën në njësitë Gurrë dhe Suç. Sipas DVP Dibër, janë të bllokuara rrugët e fshatrave që të lidhin me qendrën administrative Macukull, Baz e Lis, ndërsa rrugët kryesore të fshatrave Lis e Derjan, lëvizet me zinzhir.

Në zonën e Bulqizës, kjo situatë ka ndikuar edhe tek qindra minatorë qe vijnë nga fshatrat për të punuar në Minierën e Bulqizës.