Të gjitha shkollat e sistemit arsimor parauniversitar në vend do të zhvillojnë mësimin online nga data 15-19 shkurt.
Vendimi konfirmohet nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila thotë se kjo masë është marrë pasi Shqipëria pritet të përfshihet nga moti i ftohtë dhe temperatura të ulëta.
“Sipas parashikimeve të IGJEUM, në vendin tonë pritet një rënie shumë e theksuar e temperaturave dhe reshje të dendura dëbore në pjesën më të madhe të territorit. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vendosi të kalojë të gjitha institucionet tona të arsimit parauniversitar në skenarin e tretë të mësimit online për javën e ardhshme, nga data 15 deri në 19 shkurt 2021”, – thuhet në njoftim.
Ministrja Kushi shton se po punohet për të marrë të gjitha masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së procesit mësimor.
“Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, si dhe të gjitha zyrat arsimore dhe drejtoritë rajonale në vend, po punojmë intensivisht për të marrë të gjitha masat e nevojshme që të garantojmë mbarëvajtjen e këtij procesi”, – sqaron më tej.