Policia e Dibrës ka nisur procedimin penale ndaj 2 specialist pyjesh, në njësisë administrative Selishtë, bashkia Dibër, për lejimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve. Sipas njoftimit të DVP Dibër, këta persona janë akuzuar për shpërdorim detyre, pasi kanë lejuar që të kryhen dëmtime masive të pyjeve në këtë zonë, duke u sjellë atyre përfitime materiale të padrejta.
“Filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: H.Sh, 53 vjeç dhe Sh. LL, 29 vjeç, banues në Dibër, të dy me detyrë specialist pyjesh në njësia administrative Selishtë. Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi nga kryrja e veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se duke qenë me detyrë specialist pyjesh në njësinë administrative Selishtë, nuk kanë ushtruar kontrolle mbi detyrimet ligjore që kanë për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjejeve në sektorin përkatës.” – thuhet në deklaratën e Policisë.
Në janar të këtij viti, po në këtë zonë, Policia e Dibrës ka nisur procedimin penale edhe ndaj 5 personave, 2 kryepleqëve dhe administratorit të njësisë administrative Selishtë, për prerje të paligjshme të pyjeve dhe moskallëzim krimi. Selishta është ndër zonat më problematike përsa i përket prerjes së paligjshme të pyjeve.
Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit.