Qeveria shqiptare vendosi të zgjasë kohën e ndalimit të qarkullimit për qytetarët si dhe të kufizojë shkollat e mesme në mësim online në disa masa të ndërmarra pas rritjes dramatike të rasteve të identifikuara me COVID-19 të javëve të fundit.
Sipas urdhrit të ri, qytetarët do të duhet të mbyllen në shtëpi që në orën 8 dhe jo në orën 10 deri tani dhe ky kufizim do të zgjasë për së paku 14 ditë. Baret dhe restorantet do të mbyllen në orën 8 me përjashtim të shërbimit delivery.
Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se qeveria ishte e vetëdijshme për atë që ajo e quajti “lodhje” nga masat kufizueze por shtoi gjithashtu se masat ishin të nevojshme për shkak se “virusi nuk është lodhur”.
Sipas të dhënave të ditës së martë, mbi 33 mijë shqiptarë ose më shumë se një në 100 banorë është aktualisht e sëmurë me COVID-19 ndërsa së paku 1488 qytetarë janë humbur jetën.
Shumica dërrmuese e vendeve të botës janë duke përjetuar mbylljet e dyta dhe të treta kombëtare për shkak të përhapjes së shpejtë të infeksionit të koronavirusit të ri, veçanërisht të disa varianteve të tij të njohura si varianti i Britanisë apo ai i Afrikës së Jugut, të cilat kanë forcë infektuese shumë më të lartë se sa variantet e tjera. Shqipëria nuk ka ndërmarrë mbyllje të dytë pas mbylljes së pranverës 2020.
Qeveria duket se është nën ethet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 25 prillit. Gjatë ditëve të fundit kryeministri Edi Rama duket se hoqi dorë nga pretendimi se vendimet e menaxhimit të situatës ndërmerren nga Komiteti Teknik kur paralajmëroi vetë masat shtrënguese ditën e martë, para se komiteti të mblidhej të mërkurën.
Edhe mjeku Tritan Kalo, i cili është kthyer në shërbim në spitalin infektiv pavarësisht se ka dalë në pension dhe që është anëtar i Komitetit të Ekspertëve, deklaroi të mërkurën në Facebook se komiteti nuk ka fuqi vendimmarëse.
“Bëhet fjalë për një Komitet KËSHILLIMOR dhe jo VENDIM-MARËS sikundër pothuajse përditë abuzohet nga ekzekutivi dhe opozita….Këshillat e udhëzimet e këtij Komiteti ekspertësh që funksionon mbi bazat e VULLNETARIZMIT, më pas diskutohen e kalojnë filtrin ligjor, ekonomik e social përpara se mbi bazën e tyre të merren VENDIME nga EKZEKUTIVI,” deklaroi Kalo në Facebook.
Një paku një ekspert vuri në pikëpyetje efikasitetin e masës së re kufizuese të qeverisë duke argumentuar se virusi përhapet njësoj pavarësisht nëse qytetarët dalin të pinë kafe në orën 6 të mbrëmjes dhe jo në orën 8.