Shqipëria bën hapa para në Indeksin e Demokracisë, mbetet dobët me pjesëmarrjen politike

670
Harta e indeksit të demokracisë, që publikohet nga revista e njohur The Economist.

Shqipëria ka bërë përmirësime në Indeksin e Demokracisë, që publikohet nga revista e njohur The Economist.

Vendi ynë hyri për herë të parë në grupin e dytë të vendeve të ashtuquajtura demokraci me probleme (ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si liria e medias apo ndrydhja e opozitës dhe krizës).

Më herët, Shqipëria renditej në grupin e tretë të vendeve me demokraci hibride (kombinim i regjimit politik që shpesh krijohet si rezultat i një kalimi jo të plotë nga një regjim autoritar në një regjim demokratik). Grupi I parë është ai i demokracisë së plotë dhe i katërti i ai autoritar.

Shqipëria u rendite në vendin e 71, me 6.08 pikë ( nga 10 pikë të mundshme, sa më pak pikë, aq më e përkeqësuar është renditja). Një vit më parë ishim në vendin e 79, ndërsa në 2019-n ishte në pozicionin e 76. Përmirësimi ka ardhur nga rritja e vlerësimit në treguesin e kulturës politike.

Përmirësimi i Shqipërisë, sipas raportit, u ndikuar nga disa faktorë, përfshirë rritjen e mbështetjes publike për demokracinë. Qeveria ndërmori gjithashtu një sërë reformash zgjedhore që kërkojnë të sjellin ligjet zgjedhore të Shqipërisë në përputhje me standardet e BE ndërsa vendi përgatitet për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Sidoqoftë, mbetet e paqartë nëse reformat do të rezultojnë në zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme, thekson raporti.

Indeksi i Demokracisë bazohet në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile. Bazuar në rezultatet e tij në një gamë të indikatorëve brenda këtyre kategorive, secili vend më pas klasifikohet si një nga katër llojet e regjimit: “demokraci e plotë”, “demokraci me probleme”, “regjim hibrid” ose “regjim autoritar”.

Vendi është më dobët në në kategorinë e “pjesëmarrjes politike”, që kishte një pikëzim prej 4.44, e njëjtë me vitin e kaluar. Më mirë Shqipëria renditet në kategorinë e “lirive civile”, me 7.35 pikë (rënie e lehtë nga viti i kaluar), e ndjekur nga “procesi zgjedhor dhe pluralizmi” me 7 pikë, funksionimi i qeverisë (5.36) , kultura politike 6.25, me rritje të ndjeshme nga 5 që ishte vitin e kaluar pjesëmarrja politike (4.44).

Nga vendet e rajonit, në Indeksin e Demokracisë, më mirë në rajon paraqitet Serbia (66), që hyn në grupin e demokracisë me probleme, së bashku me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut (78), ndërsa më keq është Mali i Zi (81) dhe më pak demokratikja në rajon renditet Bosnjë-Hercegovina  në vendin e 101, në përkeqësim nga pozicioni i 84 ku ishte vitin e kaluar..

Shteti më demokratik në botë është Norvegjia, i ndjekur nga Islanda, Suedia, Zelanda e Re, Kanadaja, Finlanda, Danimarka, Irlanda, Australia.