Maqellara, dikur “hambari” i Dibrës, sot qindra hektarë tokë lihen djerr

1200
Ujëmbledhës në Maqellarë. Foto: Dritan Kurti / Porta Vendore

Njësia Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës është ndër njësitë më të mëdha në vendin tonë, që numëron rreth 14 mijë banorë. Për shkak të pozicionit gjeografik në të cilin ndodhet kjo njësi administrative me fshatrat e saj, ka qenë dikur prodhuesja më e madhe e produkteve bujqësore.

Fusha e Maqellarës, e rrethuar me burime ujore nga të katër anët, përfshirë lumin Drin i Zi, njihej për prodhim të jashtëzakonshëm para viteve 90-të. Në qindra hektarë tokë bujqësore punohej e mbilleshin kultura të ndryshme e që shpërndaheshin më pas në Bulqizë, Mat e Tiranë.

Përmbysja e sistemit monist në vitet 90-të solli ndryshim drastik edhe në fshatrat e Maqellarës. Pothuajse të gjitha veprat vaditëse u shkatërruan, që nga kanali vaditës i Bllacës, pompat elektrike që nxirrnin ujin e lumit Drin i Zi në tokat bujqësore, e deri tek ujëmbledhësit e ndërtuar nga vetë dora e njeriut në fshatrat Maqellarë, Vojnik, Grezhdan dhe Fushë e Vogël. Sot vetëm këta dy të fundit shfrytëzohen disi nga banorët, pasi janë mirëmbajtur nga vetë ata. Rezervuarët e Grezhdanit dhe fshatit Fushë e Vogël kanë në dispozicion të fermerëve 50% të kapacitetit të tyre.

Hysen Dema, banor i fshatit Fushë e Vogël thotë se fshati dikur ishte i rrethuar nga vepra vaditëse, ndërsa sot ka në dispozicion vetëm 50% të kapacitetit të rezervuarit që ndodhet mbi fshat. “Para viteve 90-të të gjitha tokat bujqësore të fshatit tonë ishin të rrethuara nga uji. Një pjesë të vaditjes e siguronim nga Bllaca, pjesën tjetër nga Drini i Zi dhe nga rezervuari që kemi mbi fshat. Tani këto vepra nuk janë më, veç rezervuarit, por ai nuk mjafton. Ne këto pak të mbjella që kultivojmë i mbajmë pasi kemi hapur privatisht rezervuare të vogla sipër arave, kjo jo vetëm që ka pasur kosto të madhe për ne, por është krejtësisht e pamjaftueshme”, tha për Portën Vendore, Hysen Dema.

Hysen Dema banor i fshatit Fushë e Vogël. Foto: Dritan Kurti/Porta Vendore

Në situatë akoma më të vështirë është fshati Vojnik. Ky fshat ka në territorin e tij më shumë se 300 hektarë tokë bujqësore të punueshme. Por sipërfaqja që mbillet është pothuajse e papërfillshme. 80-vjeçari Sabri Beça thotë se në fshatin e tij nuk lihej pëllëmbë toke pa u punuar e mbjellë. Dikur, fshati ishte totalisht nën ujë, e prodhimet që dilnin nga ky fshat ishin jo vetëm sasiore, por edhe cilësore.

“Nuk e mbaj mend saktë por nga ky fshat dilnin me tonelata prodhime bujqësore. E gjithë toka punohej, nuk kishte pëllëmbë fushe të mbetur djerr. Vërtetë ai regjim ishte i vështirë, ama fshatarëve iu siguroheshin kushtet. Kishte ujë vaditës që vinte nga të katër anët, por kishte dhe kanale kulluese. Një pjesë e vaditjes sigurohej nga liqeni i Bllacës e me kanal kalonte tek neve. Një pjesë e siguronin nga lumi Drin i Zi. Banorët që ishin në afërsi të lumit e merrnin vaditjen me pompë elektrike. Me prishjen e sistemit, u prishën edhe veprat vaditëse. Sot jo vetëm që nuk ekziston kanali që vinte nga Bllaca dhe pompa që nxirrte ujë nga Drini, por as rezervuari që kishim mbi fshat nuk funksionon më. Është turp që për 30 vite, jo vetëm Vojnikun, por gjithë Maqellarën e kanë lënë në të thatë”, u shpreh 80-vjeçari Sabri Beça.

Ujëmbledhësi i fshatit Fushë e Vogël. Foto: Dritan Kurti/Porta Vendore

Ndërsa 75-vjeçari Flamur Jolla thotë se përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe atij qendror shkojnë aty veçse për fushata elektorale e nuk pyesin më pasi mandatohen. “Fshati ynë është kthyer si shkretëtirë. Me qindra hektarë tokë që mbilleshin dikur, sot lihen djerr. Para viteve ‘90-të, ne kishim këtu të gjitha prodhimet tona, si pataten, misrin, domaten e çdo gjë. Sot për fat të keq i blejmë, jo se duam apo përtojmë të punojmë tokën, por sepse mungon uji vaditës, që është baza e bujqësisë. Në çdo fushatë elektorale për deputet apo kryetar bashkie na premtohet uji vaditës, por pasi mbarojnë zgjedhjet askush nuk duke më në fshatin tonë. Kjo është e turpshme. Ne nuk kërkojmë të vijnë të na punojnë tokën, por të na sigurojnë ujin vaditës se të tjerat i bëjmë vetë” , deklaroi Jolla për Portën Vendore.

Specialisti i bujqësisë, agronomi Agron Neziri shprehet se Maqellara njihej si “Myzeqeja e Dibrës” pasi prodhimet bujqësore ishin jashtëzakonisht të mëdha. “Në Maqellarë kultivoheshin të gjitha kulturat bujqësore. Grurë, misër, perime, vreshtari. Sot këto kultura kanë rënë. Maqellara ka 3067 HA tokë gjithsej, nga këto, 767 tokë djerr dhe kullota. Sipërfaqja që mbillet aktualisht është vetëm 858 HA”, thotë ai duke shtuar se: “Sot aktualisht në Maqellarë ujiten rreth 1200 HA me burime të brendshme, pjesa tjetër është pa ujë.. Zgjidhja më e mirë do të ishte të rivendoset në funksion kanali i Bllacës ose me më pak kosto mund të vendoset një elektropompë tek ura e re e Drinit në rrugën e Arbrit që nxjerr ujin mbi sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore të punueshme”, tha agronomi Neziri.

Fusha e Kavashicës që vaditet nga Liqeni i Fushës së Vogël. Foto: Dritan Kurti/Porta Vendore

Edhe ish Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Qarkun Dibër, Novruz Jashari thotë se këto ujëmbledhës mund tu vihen në shërbim banorëve me pak kosto.

“Në fakt zona e Maqellarës ka qenë e njohur në të gjithë Shqipërinë si zonë bujqësore, me prodhimtari tepër të lartë të grurit dhe misrit. Ka qenë e mbuluar afro 100% me vaditje, nga kanali i Bllacës, Kovashicës së Shupenzës që furnizonte pjesën në rrugë dhe pompat e Drinit të Zi. Përveç këtyre ka pasur edhe disa basene ujëmbledhëse si Psejaka, Grezhdani, Vojnika e i Fushës së Vogël, në formën e liqeneve të vogla. Këto basene në kohën e demokracisë u braktisën, u abandonuan dhe vetvetiu, natyralisht u mbushën me inerte apo llaç. Në disa prej tyre ka nisur pastrimi, konkretisht në atë të Fushës së Vogël, është bërë pastrimi. Mendoj që në ditët e sotme është e vetmja zgjidhje për sigurimin e vaditjes në të ardhmen. Ndërtimi i veprave madhore që kanë qenë kanalet ndoshta është e vështirë që pushteti lokal t’i rikthejë, por të paktën mirëmbajtjen dhe pastrimin e baseneve, rikthimin e tyre me kapacitet të plotë ka mundësinë ta bëjë. Kjo nuk ka edhe ndonjë kosto të madhe, pasi Bashkia Dibër ka mjete në Drejtorinë e Shërbimeve apo atë të Bujqësisë dhe me to, mund t’i pastrojë me një kosto të vogël. Mendoj që me pak punë, këto fshatra do të kenë ujë vaditës” , tha për Portën Vendore, Jashari.

Në lidhje me këto 4 ujëmbledhës që mund të zgjidhin problemin e vaditjes, në Njësinë Administrative Maqellarë po zbatohet dhe projekti “Liqene funksionale, Njësia Administrative Maqellarë” financuar nga Leviz Albania, me mbështetjen e Agjensisë Zviceranë për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC. Nëpërmjet advokimit komunitar të iniciuar nga drejtuesi i projektit Behar Dema, projekti synon nxitjen dhe detyrimin e pushtetit vendor për vendosjen në kapacitet të plotë të këtyre veprave vaditëse. Madje, gjatë hapave në zbatimin e këtij projekti është hartuar një raport studimor me qëllim matjen topografike të liqeneve në Njësinë Administrative Maqellarë, verifikimin e pasurive nga planet e rilevimit dhe hartat treguese, nxjerrja e volumeve faktike të ujëmbledhësve si dhe llogaritja e kostove për mirëfunksionimin e tyre në shërbim të vaditjes për secilin ujëmbledhës. Në raport përfshihen edhe sugjerime konkrete për zgjidhjen e sistemit të vaditjes në këtë Njësi Administrative, të cilat i janë bashkëlidhur edhe peticionit të kryer nga banorët drejtuar Bashkisë Dibër. Raporti i ekspertëve sugjeron zgjerimin e kapaciteteve të këtyre rezervuarëve, pastrimin dhe rindërtimin e kanaleve ujëmbledhëse, ndërtimin e kanaleve vaditëse prej betoni ose tubacione për të eliminuar humbjet apo filtrimet përgjatë lëvizjes së ujit dhe ngritjen e strukturave në nivel lokal për menaxhimin e sistemit të ujitës.

Fshati Fushë e Vogël, Maqellarë. Foto: Dritan Kurti/Porta Vendore

Dhe duket se përpjekjet e shoqërisë civile së bashku me banorët e kësaj zone, po shohin edhe dritëzat e para jeshile nga pushteti vendor, ku ka një reflektim për këto investime në buxhetin e vitit 2021.

Porta Vendore kontaktoi për këtë problem  me Kryetarin e Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj. Ky i fundit tha se në rezervuarin e fshatit Fushë e Vogël janë bërë disa ndërhyrje për pastrimin e tij. Po ashtu, Imeraj u shpreh se në projekt-buxhetin e vitit 2021 është parashikuar investim edhe në dy vepra të tjera si në rezervuarin e Maqellarës e atë të Vojnikut. “Gjatë sezonit bujqësor të këtij viti, rrjeti i kanaleve vaditëse, veprat e tjera ujitëse, si rezervuarët apo ujëmbledhësit, një pjesë e konsiderueshme i janë nënshtruar pastrimit, rehabilitimit dhe mirëmbajtjes, duke mundësuar kështu, ndryshe nga vitet paraardhëse, një funksionim dhe shërbim mjaft të mirë për fermerët e banorët në fshatra. Edhe në rastin e Maqellarës, rezervuari i Grezhdanit i është i nënshtruar pastrimit e rehabilitimit dhe ka funksionuar normalisht. Po ashtu me ndërhyrjen e bashkisë, rezervuari i fshatit Fushë e Vogël u vu në efiçiencë pas disa vitesh, vetëm gjatë këtij sezoni bujqësor që lamë pas. Ndërsa për dy rezervuarët e tjerë, atë të Maqellarës dhe fshatit Vojnikë, meqë jemi edhe në fazën e hartimit të projektbuxhetit 2021, në zërin buxhetor për ndërhyrjet dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanaleve vaditëse dhe veprave ujitëse, ndër të tjera, kemi parashikuar pastrimin dhe rivënien në efiçencë të këtyre dy rezervuarëve mjaft të rëndësishëm për banorët dhe bujqësinë e zonës” , tha kryebashkiaku Imeraj në përgjigjen e tij për Portën Vendore.

Ndërsa pritet që këto investime të finalizohen, banorët e zonës presim sy e veshë për “ca pika” ujë vaditës në tokat e tyre, për të prodhuar e jetuar ashtu sikurse i ka hije fshatit, bio.