Aktivistët mbledhin firma për mbrojtjen e Urës së Zogut

1415
Ura e Zogut mbi Lumin Mat. Foto nga interneti

Degradimi i Urës së Zogut mbi Lumin Mat dhe mungesa e reagimit nga insitucionet shtetërore, ka nxitur një grup të rinjsh dhe përfaqesues të shoqërisë civile që të nisin mbledhjen e firmave për mbrojtjen e këtij munumenti me vlera historike.

Në harkun kohor të pak ditëve janë mbledhur në internet 1500 firma, ndërsa synimi është që të mblidhen sa më shume nënshkrime të qytetarëve me qëllim përgatitjen e një peticioni që do ju dërgohet institucioneve përgjegjesë me qëllim që të ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme për mbrojtjen e Urës së Zogut nga shembja e plotë.

Ura e Zogut në Lumin Mat. Foto: Elvis Hila/BIRN

“U bënë disa javë nga kjo situatë dhe asnjë masë konkrete nuk është marrë për ndërhyre në shpëtimin e këtij objekti me vlera të jashtëzakoshme historike,” tha Elton Laska, përfaqësues i organizatës rinore “Sebastia”

“Qytatarët i janë përgjigjur mjaft pozitivisht thirrjes tonë dhe në harkun kohor të pak ditëve kemi arritur të mbledhim 1500 firma, por synojmë të mbledhim më shumë,” shtoi ai.

Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore  që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.

Për vite me radhë, ekspertë të mjedisit dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore u ranë këmbanave të alarmit se eskavatorët që nxjerrin zhavorr nga lumi Mat, po rrezikonin seriozisht “Urën e Zogut”- e shpallur monument kulture në vitin 1999.

Por shqetësimi ra në vesh të shurdhër, ndërsa rreshjet e muajit të fundit e fundosën njërën prej këmbëve të urës me 2 metra e 40 centimetra, duke rrezikuar shembjen e saj.